Një aksident automobilistik është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e quajtur Jalë e Nartës, në lagjen “24 Maji” në Vlorë.
Në aksident janë përfshirë një kamionçinë dhe një automjet tip furgon, i cili transportonte gjashtë persona. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa pas përplasjes njëri prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit. Dyshohet se të plagosurit janë shtetas të huaj, me origjinë indiane, të cilët në momentin e aksidentit po udhëtonin drejt vendit të tyre të punës.
Mësohet se personat po shkonin drejt një fasonerie që ndodhet pranë zonës, ku ishin të punësuar. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa është kërkuar edhe ndihma e shërbimit të urgjencës.
Autoambulanca ka transportuar të lënduarit drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Ende nuk bëhet e ditur gjendja e tyre shëndetësore.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e aksidentit. Po verifikohen rrethanat në të cilat ka ndodhur përplasja, si dhe shkaqet që kanë çuar në daljen e njërit prej automjeteve nga rruga.
Pritet që në vijim të dalin më shumë detaje lidhur me identitetin e personave të lënduar dhe gjendjen e tyre shëndetësore.











Komente
Komento