VLORE - Report Tv ka mësuar detaje të reja lidhur me gomonen me kanabis të kapur gjatë natës së kaluar në Vlorë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Report Tv se në gomonen e braktisur janë gjetur rreth 1.6 tonë kanabis. Po të njëjtat burime deklarojnë se mjeti lundrues dyshohet të ketë pasur defekt. 

Gomonia ishte rreth 8 m e gjatë dhe është kapur disa milje larg ujërave ndërkufitare në Vlorë. Aksioni u krye nga D.V.P.Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Forcë, QNOD dhe Guardia di Finanza, të cilat vijojnë kontrollet për parandalimin e trafikimit të narkotikëve përtej kufirit.Trafikantët e drogës arrijnë të largohen, pasi nxjerrin mjetin lundrues në breg, ndërkohë që policia vijon të krehë zonat përreth Vlorës për të rënë në gjurmët e tyre. 

 

Policia sqaron se kishte informacione për nisjen e një ngarkese me lëndë narkotike nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë. Ngarkesa e kanabisit është transportuar pranë ambienteve të policisë së Vlorës, për të bërë peshimin e saj. 

 

 

Njoftimi i Policise:
Vlorë

Kapet një gomone e ngarkuar me kanabis; policia në kërkim të trafikantëve. D.V.P.Vlorë në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Forcë, QNOD dhe Guardia di Finanza vijojnë kontrollet për parandalimin e trafikimit të narkotikëve përtej kufirit.

Gjatë kryerjes së këtyre kontrolleve, ditën e sotme, disa milje larg ujrave ndërkufitare u konstatua një gomone rreth 8 m e gjatë me sasi të konsiderueshme kanabisi. Gomonia ishte në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara për lëvizjen e saj në det. 

Shërbimet policore po transportojnë lëndën narkotike pranë ambienteve të saj, për të bërë peshimin e saj. Gjithashtu po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com