/ATSH-Harilla Koçi/.- Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me Universitetin "Ismail Qemali" në këtë qytet, organizoi promovimin e botimit në gjuhën shqipe të Kodit Civil Italian, përkthyer nga avokat Lisenko Moçka.
Në takimin që u zhvillua në një nga sallat e Universitetit "Ismail Qemali", ku ishin të pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, zoti Stefano Bergesio, Rektori prof.dr. Albert Qarri, si dhe mjaft studentë, pedagogë, juristë e studiues të të drejtës, u vu në dukje rëndësia e botimit në gjuhën shqipe të këtij Kodi dhe hapësirat që krijohen përmes tij në procesin e njohjes së  legjislacionit civil Evropian e të vendeve të tjera të zhvilluara dhe të përafrimit të sistemit të të drejtës së vendit tone, me këtë legjislacion.
Përkthimi i këtij volumi, sipas të pranishmëve, vlerësohet si një përpjekje e suksesshme për  t'u ardhur në ndihmë juristëve, studiuesve, pedagogëve të së drejtës, apo avokatëve, noterëve e prokurorëve. "Përkthimi në gjuhën shqipe i Kodit Civil Italian të vitit 1942, është një kontribut i jashtëzakonshëm në drejtim të zgjerimit të hapësirës së dijes dhe kërkimit shkencor në favor dhe në shërbim të një numri realisht të lartë të interesuarish në fushën e të drejtës, asaj civile në veçanti. Avokatë dhe gjyqtarë, studentë dhe pedagogë, juristë, punonjës të administratës publike, do të ndihen njëtrajtshmërisht të ndihmuar nga ekzistenca e një mundësie të tillë aksesi në kodifikimin civil italian, i cili ka shërbyer njëkohësisht edhe si udhërrëfyes i legjislatorit kodifikues shqiptar të viteve '90-të. Kodi Civil aktual shqiptar, është haptazi i influencuar nga eksperienca e konsoliduar italiane në fushën e kodifikimit civil", u nënvizua në këtë takim.
 Gjithashtu, folësit theksuan se, tradita dhe trashëgimia e pamohueshme juridike romake e kodifikimit progresiv të dispozitave në fushën civile, ka bërë që, një vend si Shqipëria partner ekonomik dhe politiko-strategjik i Italisë, të shërbejë gjithashtu edhe si një "treg" natyror, qartazi i justifikueshëm, i influencës juridike italiane, i pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër të gadishullit ballkanik.
Romakët patën meritën kryesore dhe të pamohueshme të krijimit të rregullave  të së drejtës, duke u nisur nga premisa katërcipërisht shkëncore dhe të pakundërshtueshme. Në këtë kontekst, folësit theksuan se dhuntia dhe veçoria kryesore e traditës romake ishte dhe mbetet aftësia për krijuar rregullat e nevojshme juridike të bashkëjetesës dhe te marrëdhënieve sociale mes anëtarëve të shoqërisë. "Bashkëjetesë, barazi dhe rend", ishin tre parimet kryesore frymëzuese të zhvillimit shoqëror romak. "Pikënisja dhe origjina e vetë së drejtës romake ishte, pikërisht, e drejta civile e banorëve romakë që, fillimisht kishte natyrë zakonore ("mores")", u shprehën folësit.
Sipas tyre, Kodi Civil Italian i  aprovuar me Dekret Mbretëror n. 262, të 16 mars 1942, i amenduar në kohë sipas nevojave të shoqërisë italiane, vjen për publikun shqiptar, nëpërmjet një vepre tejet të lavdërueshme përkthimi nga Av. Lisenko Moçka, si një instrument i domosdoshëm bibliografik dhe studimor për të gjithë të intereuarit e fushës së të drejtës, një sakrificë kërkimore dhe akademike e paçmueshme, jo vetëm për përmasat dhe vëllimin tejet të madh të mundimit fizik por, mbi të gjitha edhe për korrektesinë dhe saktësinë terminologjike të përkthimit shkencor dhe akademik që nuk lë vend për kritika dhe dyshime.
Italia është vendi fqinj me të cilin na lidh historia dhe një miqësi shumëshekullore, partner kryesor në shkëmbimet dhe investimet në një masë më shumë se 40 përqind etj. Këto çështje, u vlerësuan gjithashtu si elementë të rëndësishëm në bashkëbisedimin që u zhvillua në këtë takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës.