Në qytetin e Vlorës ka nisur aksioni për për prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kanalin e ujërave të larta me qëllim evitimin e të gjitha problematikave që shkaktojnë përmbytje në qytet.

Kryetarja e Bashkia Vlorë, Brunilda Mersini, gjatë një inspektimi në kanalin e ujërave të larta, ka theksuar domosdoshmërinë e ndërhyrjeve, edhe për shkak të problematikave që lidhen me ndërtimet mbi kolektor, për të cilat do të ketë edhe shembje.

Mersini thekson se puna do të vijojë me intensitet, me qëllim që në periudhën dimërore të sezonit të ardhshëm Vlora mos të përballet më si përmbytja e regjistruar para dy vitesh.

“Në fakt puna ka nisur me pastrimin e kanalit të Naunkës. Ne nuk mund të themi se një qytet bregdetar nuk mund të përmbytet, por lufta jonë është sa kohë do të rrijë qyteti në ujë. Dhe në kuadër e këtij objektivi kemi filluar pastrimin e ujërave të larta. Në Karabash kemi një problem sepse kemi ndërtime, banesa mbi kolektor.

Kemi marrë kohën në zbatim të projektit për t’i larguar sepse do të ketë prishje të strukturave. Ligji asiston që ne t’i japim bonus qiraje ose banesa sociale. Duhet të bëjmë maksimumin që mos të shohim atë që ndodhi në tetor të 2024-ës", tha Mersini teksa shtoi se në kolektorin kryesor të qytetit kanë prishur një karburant.