VLORE – Policia e Vlorës ka arrestuar 7 zyrtarë të institucioneve vendase ndërsa po heton në gjendje të lirë 19 mjekë. Arrestimi i tyre u krye gjatë një operacioni antikorrupsion të koduar "Kolaps" të zhvilluar në bashkëpunim me task forcën e ngritur enkas për këtë qëllim, operacion që është shtrirë në qarqet Tiranë, Vlorë, Fier e Gjirokastër.

Të gjithë zyrtarët në fjalë akuzohen për shpërdorim detyre. Policia e Vlorës njoftoi se personat e arrestuar janë:

Ilirjan Selmanaj, kreu i Kryqit të Kuq
Gjergji Dhiamanti, sekretar i Kryqit të Kuq
Kleanthi Peçi, përgjegjës i Takim Taksave
Xhevair Basha ish-kreu i komisionit të patentave
Luan Troka, ish-anëtar i komisionit të patentave
Limoz Alia, administrator e instruktor i një autoshkolle
Altin Demiri, instruktor i një autoshkolle.

"Arrestimi i këtyre shtetasve si dhe fillimi i procedimit penal në ngarkim të 19 mjekëve është kryer pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin në më shumë se 22 raste të dokumentuara, kundrejt shumave të caktuara monetare, falsifikonin dokumentat zyrtare për persona të cilët nuk ishin të pranishëm por emigrantë jashtë shtetit duke i pajisur ata me leje drejtimi. Procedurat për pajisje me leje drejtimi kryeheshin nga vetë komisionerët, dhe punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Vlorë", sqaron policia e Vlorës.

(im/shqiptarja.com)