Një grua rreth 35 vjeçe është rrëzuar gjatë ditës së sotme përgjatë bulevardit Ismail Qemali, pasi është penguar në një prej blloqeve të betonit të vendosura në zonë. Si pasojë e rrëzimit, ajo ka pësuar dëmtime në kokë.

Nuk është hera e parë që qytetarët hasin vështirësi dhe pengohen në këto blloqe betoni, të cilat janë vendosur pa asnjë kriter pranë bulevardit dhe trotuareve të këmbësorëve, duke u kthyer në një rrezik të vazhdueshëm për kalimtarët.

Gruaja është shoqëruar menjëherë me autoambulancë drejt urgjencës së spitalit rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Ky mbetet një shqetësim i përsëritur dhe një problematikë serioze, veçanërisht për moshat e treta, pasi vetëm një muaj më parë një grua rreth 65 vjeçe humbi jetën pasi u pengua pikërisht në këto blloqe betoni.