Përfundon loti i parë i rrugës së Smokthinës, një aks i rëndësishëm që lidh gjashtë fshatra të Lumit të Vlorës dhe që synohet të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Ky segment, me një vlerë prej rreth 111 milionë lekësh, është ndërtuar përgjatë rreth 10 muajve dhe përbën hapin e parë të një projekti që në total parashikon rreth 20 kilometra rrugë.
Rruga e Shullerit, pjesë e aksit të Smokthinës, ka një gjatësi prej rreth 3.5 kilometrash dhe një gjerësi totale prej rreth 6 metrash, duke përfshirë edhe bankinat anësore. Për banorët e zonës, ky investim ka qenë një kërkesë e hershme, ndërsa përfundimi i lotit të parë shihet si një mundësi për vijimin e projektit drejt fshatit Vërnik.
Kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, ka deklaruar se investimi është realizuar me fondet e bashkisë, ndërsa synimi është sigurimi i financimit të mëtejshëm përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe qeverisë shqiptare.
Zona e Lumit të Vlorës, përmes këtij aksi rrugor, synon të ketë një lidhje më të mirë me pjesën tjetër të territorit, duke i dhënë zhvillim bujqësisë, blegtorisë, agroturizmit dhe turizmit.
Deputeti i zonës, Vullnet Sinaj, e ka cilësuar investimin me vlera, por ka theksuar se objektivi përfundimtar është vijimi i rrugës deri në destinacionet e parashikuara të projektit, duke krijuar lidhje edhe me detin dhe Nivicën.
Ndërkohë, zhvillimi i infrastrukturës në këtë zonë vjen në një moment kur në Selenicë po zhvillohet edhe debati për reformën e re territoriale.
Deputeti Vullnet Sinaj shprehet kategorikisht kundër bashkimit të Bashkisë Selenicë me Bashkinë Vlorë, duke deklaruar se qëndrimi i komunitetit është kundër një shkrirjeje të tillë.
Sipas Sinajt, Selenica duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete, ndërsa argumenti i tij lidhet edhe me performancën financiare të bashkisë dhe profilin e ndryshëm ekonomik të saj.
Sinaj argumenton se Selenica ka një ekonomi të mbështetur kryesisht te bujqësia, blegtoria dhe agroturizmi, ndërsa Vlora ka një profil më të orientuar drejt turizmit. Për këtë arsye, sipas tij, përpara çdo vendimi për bashkim duhet parë mënyra se si Bashkia Vlorë menaxhon dhe investon në zonat rurale që ka aktualisht nën administrim.
I pyetur nëse e ka diskutuar këtë qëndrim me kryeministrin Edi Rama, Sinaj është shprehur se komunikimet me kryeministrin janë private dhe nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërsa loti i parë i rrugës së Smokthinës tashmë ka përfunduar, banorët presin vijimin e investimit për të përshkuar të gjithë aksin prej rreth 20 kilometrash. Paralelisht, në Selenicë vijon edhe debati për të ardhmen e bashkisë në kuadër të reformës territoriale, me drejtuesit vendorë dhe deputetët e zonës që kërkojnë ruajtjen e saj si njësi administrative më vete.







Komente
Komento