Në Vlorë u përkujtua këtë të shtunë, 182-vjetori i lindjes së arkitektit të shtetit shqiptar.
Tek varri monumental i Ismail Qemalit u zhvilluan homazhe në nderim të figurës së tij.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, deputeti Ardit Bido, prefektja, Evis Allushi dhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini.
Zyrtaret e majte vendosën kurora me lule, ndërsa banda frymore interpretoi Himnin e Flamurit.
Në fjalët e tyre, përfaqësuesit e qeverise dhe pushtetit vendor nderuan veprën dhe kontributin e Ismail Qemalit si shtetformuesi i parë i Shqipërisë. Ata theksuan se vepra e tij duhet të kujtohet dhe të nderohet ndër breza, duke e cilësuar përkujtimin e figurës së Ismail Qemalit si një detyrë dhe përgjegjësi për çdo përfaqësues të pushtetit.
Ismail Qemali lindi më 24 janar 1844 në Vlorë. Ndërsa data e vdekjes së tij mbetet një çështje e debatueshme. Në pllakën e varrit shënohet data 24 janar 1919, por studiuesit, mes tyre Evarist Beqiri, duke iu referuar dokumenteve arkivore, pohojnë se Ismail Qemali ka ndërruar jetë më 26 janar 1919 në Peruxhia të Italisë
Figura e tij mishëron idenë e shtetit, dinjitetin kombëtar dhe vizionin europian. Ai nuk ishte vetëm njeriu që ngriti flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912, por arkitekti i shtetit shqiptar të pavarur, të orientuar drejt Perëndimit.
Komente











