Policia e Vlorës kapi 3 persona të dyshuar për ngjarjen e ndodhur pasditen e të martës në këtë qytet, ku mbetën të vrarë tre të rinj, ndërkohë që një tjetër u plagos.
Sipas policisë, viktimat e kësaj ngjarjeje janë Alfred Velaj, 28 vjeç, Haki Rakipi 29 vjeç dhe Albi Limaj, ndërsa i plagosuri është Aleksandër Llanaj, njëkohësisht një nga të dyshuarit si autorë të të shtënave me armë, të cilit iu komunikua edhe masa e arrestit në spitalin rajonal të Vlorës, ku u dërgua për trajtim mjëkësor.
Gjithashtu, u arrestuan edhe Ani Delaj e Ervis Mehmeti, të cilët dyshohet se, lëviznin me një automjet së bashku me të plagosurin Llanaj dhe një person të katërt, i cili është shpallur në kërkim.
Mësohet se, tre të rinjtë mbetën të vrarë në mjediset e jashtme të lokalit "Andore" në lagjen "24 maj", në rrethana që nuk janë zbardhur plotësisht nga policia. Uniformat blu sekuestruan 2 automjete BMW X 5, që dyshohet se janë përdorur në vendin e ngjarjes, si dhe dy armë zjarri tip pistoletë.
Ende nuk është bërë publik motivi i kësaj ngjarjeje, ndërkohë që policia pritet të japë informacione në vijimësi rreth hetimeve që po kryhen nga një grup i posaçëm.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 14.00 të ditës së sotme, në mjediset përpara lokalit "Andore" në lagjen "24 Maji". Informacionet e para rreth saj ishin kontradiktore. /atsh/