VLORË – Një 45-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia ditën e sotme pasi qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri.

45-vjeçari i identifikuar si Alfred Hoxhaj u ndalua dhe arrestua në rrugën Sazani, teksa drejtonte automjetin e tij tip "Benz".

Në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak si dhe një shumë parash.

"Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur, në rrugën Sazani, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Strike 15", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

- A. H., 45 vjeç, banues në Vlorë",-njofton policia. 

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.