Vlorë- Kur kanë mbetur vetëm 6 muaj nga çelja e aeroportit të ri të Vlorës, investitorët po kërkojnë të blejnë prona për të investuar në Akërni, fshatin ku shtrihet aeroporti ende në ndërtim.
Agjentët imobiliarë në Vlorë thonë se aktualisht një metër katror tokë në Akërni shitet me 25 euro, ndërsa më përpara ka qenë vetëm 5 euro. Të interesuarit, janë individë apo biznese që kërkojnë prona për të investuar si në magazina apo parkingje.
“Në zonën e aeroportit kërkohen toka për investim, për magazina, për parkime makinash, çmimi është rritur. 25 euro metri katror. Po flasim para se të bëhej aeroporti ka qenë 5 euro metri. Magazina, kapanone, etj. Kërkojnë deri në 10 mijë metra apo 20 mijë metra. Interesi për Akërni është nga biznesmenët shqiptarë. Ndërsa të huaj kërkojnë të investojnë në qytet. Ka pasur një ngërç rivlerësimi s’ka dalë ende, u kthye nga Ministria e Financave, dihet që çmimi i referencës do rritet”, thotë Qemal Hoxha, agjent imobiliar.
Por disa prej banorëve të Akërnisë nuk kanë dokumente pronësie, ndaj kërkojnë nga Agjencia e Kadastrës të përshpejtojë procesin e regjistrimit të tokave.
Vendosja në funksion e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, brenda verës së 2025, siç ka deklaruar Rama, do të sjellë edhe turistë të shumtë dhe njëherësh do të rrisë ekonominë lokale.