Vlorë, 16 mars/ATSH-Harilla Koçi/.- Policia e Vlorës sekuestroi të hënën një sasi prej 5.8 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë, e cila do të trafikohej drejt Italisë.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, lënda narkotike u zbulua në pikën kufitare të portit të Vlorës, në një nga autobuzët e transportit të udhëtarëve që përshkojnë linjën Vlorë-Itali, përmes tragetit me Brindisin.
Mësohet se marijuana ishte paketuar në 34 cilindra, të cilët ishin vendosur brenda një bidoni plastik 30 kilogramësh, që ishte mbushur me vaj ulliri, si një mënyrë fshehjeje.
Policia shoqëroi për hetime dy drejtuesit e autobuzit, ndërkohë që po punon për të identifikuar personat përgjegjës të këtij rasti trafikimi të mbetur në tentativë. /a.ke/