Vlorë- Sekuestrohen 31805 euro të padeklaruara në Portin e Vlorës, procedohen penalisht 2 persona, drejtues të autobusit të agjencisë së udhëtimit, ku u gjetën 4 pako me euro.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, njoftuan sot (23 Dhjetor) se kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi.
“Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani”, tha policia vendore.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kurse dosja i kaloi prokurorisë vendore.