VLORË - Një grup kriminal i huaj kryesisht ukrainas me bazë në Vlorë u arrestuan pasu akuzohen se bënin trafikimin e të rinjve ukrainas që i iknin luftës, më pas i shantazhonin ata për tu bërë pjesë e këtij rrjeti kriminal.
Pjesëtarët e këtij rrjeti rekrutonin shtetas ukrainas në vende të ndryshme të Europës dhe i sillnin në Shqipëri, ku i privonin nga dokumentet e udhëtimit dhe i detyronin të kryenin aktivitete të kundërligjshme, sqaroi në deklaratën për mediat drejtori i policisë së Vlorës, Elidon Çela. Një grup prej 19 ukrainasish, nga 18 deri në 26 vjeç, viktima të trafikuara në vendin tonë nga bashkëkombësit e tyre u shoqëruan nga Policia e Vlorës.
Personat e trafikuar, përmes kërcënimeve dhe dhunës fizike e psikologjike, detyroheshin të angazhoheshin në rekrutimin e individëve të tjerë përmes rrjeteve sociale. Të rinjtë ishin sjell në Vlorë, viktimat më pas përdoreshin për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike në vendet europiane.
Drejtori Çela tha se ende nuk ka indicie se mund të jenë përfshirë shtetas shqiptarë apo qytetarë të Vlorës në këtë rrjet, megjithatë ende po hetohet nga prokurori i çështjes Erion Murataj.
'Gjatë këtij operacioni u goditën dy raste të trafikimit të personave të rritur nga shteti i Ukrainës. Pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.
Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane' deklaroi Çela.
Ndërkohë, shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Poloni, është shpallur në kërkim.
Autoritetet shoqëruan 19 shtetas ukrainas, të moshës 18-26 vjeç, të cilët ishin viktima të kësaj veprimtarie kriminale. Deri në këtë fazë të hetimit nuk janë shfaqur shqiptarë si bashkëpunëtorë, por këqyrja e aparateve celularë do të ndihmojë hetuesit për të zbërthyer në mënyrë të plotë grupin. Nga ana tjetër, viktimat e kësaj veprimtarie dyshohet se kanë qëndruar në qytete të ndryshme nëpër shtëpi me qira ditore. Hetuesit do të verifikojnë në mënyrë të plotë itinerarin e tyre hyrës në Shqipëri për të kontrolluar për individë të tjerë që i kanë pritur dhe asistuar.
Të gjitha pajisjet do të analizohen nga Instituti i Policisë Shkencore në Tiranë për të zbuluar të dhëna të mëtejshme mbi rrjetin kriminal.
Një grup kriminal me shtetas ukrainas me bazë në Vlorë që merrej me rekrutimin e shpërndarësve të drogës dhe trafikimin e personave të rritur është goditur nga policia e këtij qyteti. Forcat blu publikuan pamjet e bazës së këtij grupi ku janë sekuestruar 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.
Në total janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale dhe janë kryer veprime procedurale me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.