VLORE- Tre persona te kthyer nga Afrika e Jugut janë diagnostikuar me sëmundjen e rrezikshme të malarjes në qytetin e Vlorës gjate nje periudhe 2 mujore. Të infektuarit rezultojnë të jenë punonjës të një kompanie shqiptare të cilët janë dërguar me kontratë pune në Afrikën e Jugut. Në përfundim të kontratës, punonjësit janë kthyer në Vlorë, dhe nuk i janë nënshtruar asnjë analize apo kontrolli të shëndetit të tyre mbas kthimit. Pas shqetësimeve të shfaqura herë pas here, dy prej punonjësve që kanë punuar ne Afrike për një vit janë paraqitur në spitalin e qytetit të Vlorës për t’u nënshtruar analizave të përgjithshme shëndetësore .

TË SËMURËT SILLEN NË TIRANË

Personat kanë shfaqur ethe dhe temperature disa muaj pas kthimit nga Afrika , ndërsa pas egzaminimeve dhe kryerjen e analizave mjekët kanë konstatuar se personat janë të prekur nga malarja.

“Gjatë dy muajve të fundit në Spitalin e Vlorës janë paraqitur tre persona të cilët janë konstatuar si të prekur nga sëmundja e malaries. Shenjat e para të tyre ishin ethe dhe temperaturë e lartë. Pas kryerjes së analizave të nevojshme ne arritëm në përfundimin që kishim të bënim me sëmundjen e malaries dhe menjëherë këta pacientë u dërguan në QSUT në Tiranë për një trajtim më të specializuar. Nuk kemi të bëjmë me rrezikun e përhapjes pasi këto tre raste tani janë të izoluara. Ne kemi informacion që këto të prekur kanë qenë të punësuar në Afrikën e Jugut dhe pasi janë kthyer nuk kanë bërë asnjë analizë por janë paraqitur në spital vetëm pasi kanë pasur probleme shëndeteësore. Gabimi i këtyre të infektuarve është se ata nuk kanë pirë medikamentet e nevojshme kur kanë jetuar në Afrikë, pasi medikamentet mund tja parandalonin infektimin”- tha Adrian Misha, shefi i spitalit infektiv në Vlorë në një prononcim për Tv A1 Report.

Të dyshuarit i kanë thënë mjekëve se nuk kishin pirë ilaçet e dhëna nga mjekët për tu ruajtur nga sëmundja e malarjes që në momentin që kanë shkuar me punë në Afrikë. Ç’ka do të parndalonte infektimin. Mjekët kanë deklaruar se të sëmurët nuk janë shtruar asnjëherë në spitalin e Vlorës. Aty janë bërë vetëm vizitat dhe është konstatuar sëmundja.

Gati 50 vjet pas zhdukjes, rasti i parë me malarie në vend u zbulua në vitin 2009, dhe i infektuar ishte një shtetas britanik që punonte në Tiranë dhe që e kishte importuar virusin nga vendet e Afrikës, pasi udhëtonte shpesh jashtë Shqipërisë.

(sg/shqiptarja.com)