Ismail Aliaj 63 vjeç, gjeti vdekjen pasditen e djeshme pas një konflikti fizik me 3 persona të tjerë në lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Aliaj u godit me grushte e shkelma nga Anxhelo Ceci, 31 vjeç, Xhafer Ngucaj, 34 vjeç dhe Eni Hysaj, 23 vjeç, të gjithë të shpallur në kërkim të akuzuar për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Ismail Aliaj ishte i shoqëruar nga i biri, B. A., 24 vjeç, kur shkoi për t’i kërkuar llogari njërit prej personave të shpallur në kërkim për shkak të një konflikti që kishte 24-vjeçari me të disa ditë më parë. Autori ka qenë në makinë në ato momente me familjen e tij, pasi sapo kishte nxjerrë djalin nga spitali, ku viktima me të birin i janë afruar.
Konfrontimi verbal ka përshkallëzuar në atë fizik, ndërsa autorit në ndihmë i kanë ardhur dhe 2 persona të tjerë, të cilët kanë sulmuar 63-vjeçarin. Pas goditjeve fizike, Ismail Aliaj është rrëzuar në tokë ndërsa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ai është dërguar për ndihmë mjekësore në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë. I plagosur lehtë mbeti dhe i biri.
Rreth një muaj më parë, Ismail Aliajt i kanë djegur dhe automjetin, por burime nga policia kanë konfirmuar se ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
“Vlorë / Goditën me grushte, duke i shkaktuar vdekjen 63-vjeçarit, shpallen në kërkim 3 shtetas.
Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 03.04.2026, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën.
Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










Epo e paska kerkuar vete vdekjen qyqari.
Përgjigju