VLORE - Nën kërcënimin e armës i grabisin automjetin djalit të prokurorit të Vlorës Dorian Tafili. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, ku ka qënë djali i prokurorit të prokurorisë së rrethit Vlorë Dorian Tafili, i cili ka marrë automjetin e të atit nga poshtë pallatit për ta parkuar në një nga parkimet që ndodhen afër banesës së tij.

Pasi i është afruar parkimit të automjeteve i ka zënë rrugën një person i maskuar dhe me armë në dorë duke e detyruar djalin e prokurorit të dalë nga automjeti. Kanë qenë kundërshtimet e të riut për të mos ia dorëzuar makinën grabitësit me maskë, por ky i fundit duke përfituar dhe nga errësira ka mundur të hapë derën dhe ta nxjerre me forcë nga makina duke e qëlluar dhe me tytën e pistoletës në kokë. 

Pasi ka marrë makinën e prokurorit tip benz me targa AA 725 HD, grabitësi është larguar duke lënë të plagosur të riun në lagjen Pavarësia. Menjëherë janë organizuar forca të shumta të policisë të cilat kanë bërë bllokimet në pikat kyce të qytetit të Vlorës, si në hyrje ashtu dhe në dalje të qytetit.

Kontrrolle janë ushtruar edhe në banesa të personave të dyshuar si dhe në zonën e pyllit të sodës pasi mendohet se grabitësi së bashku me automjetin mund të jetë fshehur në pyllin e Sodës.

Por deri në orët e para të ditës nuk është gjetur asnjë gjurmë e automjetit të grabitur të prokurorit të Vlorës. Ndërkohë para dy vitesh po këtij prokurori i është vënë një sasi tritoli automjetit të tij të parkuar poshtë pallatit të tij në lagjen Pavarësia.

Redaksia Online
(d.a/Shqiptarja.com)