ATSH-Harilla Koçi/.-Policia e Vlorës arrestoi në orët e vona të së martës katër persona, të dyshuar si autorë, apo bashkëpunëtorë në ngjarjen që ndodhi dje pasdite, ku mbetën të vrarë tre të rinj, ndërkohë që një tjetër u plagos.

Burime zyrtare të policisë bënë të ditur për ATSH-në se, u arrestuan 23 vjeçari Aleksandër Llanaj, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të marra gjatë përplasjes me armë, Ani Begaj, 36 vjeç, i cili u kap menjëherë pas ngjarjes, Bertil Alliaj, 23 vjeç, që u identifikua dhe u prangos pas përfundimit të hetimeve paraprake, si dhe 20 vjeçari Xhuliano Lutaj, që ishte larguar nga qyteti. "Për këta shtetas, grupi hetimor ka grumbulluar prova që i përfshijnë ata si autorë dhe bashkëpunëtorë në ngjarje", saktësoi policia.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë, dinamikës dhe motiveve të ngjarjes, të cilat pritet të publikohen zyrtarisht gjatë orëve në vazhdim. 

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14.00 të një dite më parë në lagjen periferike "24 maji" në qytetin e Vlorës ku mbetën të vrarë Alfred Velaj, 28 vjeç, Haki Rakipi 29 vjeç dhe Albi Limaj, ndërsa i plagosuri është Aleksandër Llanaj, njëkohësisht një nga të dyshuarit si autorë të të shtënave me armë, të cilit ju komunikua edhe masa e arrestit në spitalin rajonal të Vlorës, mbeti i plagosur gjatë përleshjes me armë dhe u dërgua për trajtim mjekësor.

Tre të rinjtë mbetën të vrarë në mjediset e jashtme të lokalit "Andore" në lagjen "24 maj", pasi u qëlluan me armë zjarri nga një automjet. Uniformat blu sekuestruan 2 automjete BMW X 5, që dyshohet se janë përdorur në vendin e ngjarjes, si dhe dy armë zjarri tip pistoletë.