Pas protestave të blegtorëve të lumit të Vlorës edhe ata të zonës së Novoselës kanë paralajmëruar se do ndërmarrin një hap të tillë, për shkak se pikat e grumbullimit të qumështit kanë ulur ndjeshëm çmimin.

Për report Tv blegtorët thonë se baxhot kërkojnë ta grumbullojnë qumështin me shumicë me 120 lekë/ litri nga 160 që ishte deri tani, në një kohë kur çdo produkt ushqimor në vend pëson vetëm rritje çmimi.

“S’ka stabilizim. E bënë 160 lekë, ne prisnim ta bënin 200 lekë se çdo gjë është rritur te buka, te mielli, të gjitha me radhë janë rritur. Vetëm qumështi është në ulje”,- është shprehur blegtori Serri Alliu.

“Qumështi këtu ka qenë me 160, në zonat e tjera ka qenë me 170-180, por prap me 160 ne ishim të kënaqur. Sivjet ata e kanë ulur me 120 dhe sa do ta vjet ata e kanë ulur me 120 dhe sa do ta çojnë ata e dinë”,- është shprehur blegtori Sandri Bendaj.

Blegtorët Sandri Bendaj dhe Serri Alliu, thonë se kanë nga 150 krerë bagëti, por sipas tyre çmimi i grumbullimit të qumështit nuk justifikon as mundin e tyre dhe as shpenzimet që ju duhet për të vazhduar më tej. 

“Ka shumë kosto. Jam i punësuar vetë me gruan, kam një çoban është pensionist, e kam marrë aty, i jap 30 mijë lekë rrogë dhe i siguroj ushqimin dhe fjetjen. Unë se përballoj dot. 300 hektarë tokë me qira. Do ta lë dhe tokën me qira se nuk e përballoj dot”,- tha Bendaj.

“Shpenzimet janë të mëdha, janë në majë, vështirësitë janë në majë dhe hesapi nuk ngelet. Me këtë çmim fatkeqësi e madhe mos të themi që ta derdhim, por do gjejmë mënyrën ta zhdukim fare blegtorinë se nuk na dalin krahët, nuk ushqehemi dot”,- tha Alliu.

Duke pohuar se e kanë të vetmen mundësi për të siguruar jetesën, blegtorët thonë se ndihen të braktisur nga strukturat shtetërore dhe kërkojnë ndërhyrjen e tyre për të stabilizuar tregun.