33-vjeçai Barend Hoxhaj, ka rënë në prangat e policisë në Vlorë, pasi dyshohet se i vuri flakën apartamentit të një familjeje me të cilën kishte konkurrencë në biznesin e qiradhënies së apartamenteve.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit në lagjen "Lef Sallata". Në banesë ndodheshin vëlla e motër, të cilët nuk pësuan lëndime, ndërsa zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Fillimisht rasti u dyshua si zjarr aksidental, por hetimet e policisë çuan në një tjetër përfundim. Brenda 48 orëve, autoritetet identifikuan dhe arrestuan Hoxhajn i cili dyshohet se i vuri zjarrin derës së apartamentit.
Sipas policisë, shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë konkurrenca mes autorit dhe pronarëve të banesës, pasi të dyja palët ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies të apartamenteve me qera në Vlorë.
33-vjeçari akuzohet për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
"Vlorë/Zbardhen brenda 48 orëve, autorësia dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen "Lef Sallata", ngjarje e cila fillimisht u dyshua aksidentale. I vuri zjarrin apartamentit në orët e para të mëngjesit, ku ndodheshin 2 shtetas (vëlla e motër), për motive konkurrence, identifikohet dhe arrestohet 33-vjeçari. Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale të konsiderueshme në banesë. Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 02:40 të datës 04.08.2026, se po digjej një apartament në lagjen "Lef Sallata", specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë shkuan në vendngjarje, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Si rezultat, 48 orë pas kryerjes së krimit, u mundësuan identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 33 vjeç. Paraprakisht dyshohet se 33-vjeçari, në orët e para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, për motive konkurrence me pronarët, duke qenë se ushtronin veprimtari ekonomike të njëjtë, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr"."
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento