Edmond Nezaj, Rigers Nezaj dhe Gentjan Nezaj janë arrestuar sot nga policia e Tiranës gjatë operacionit policor të koduar "Luna", nën akuzë për vjedhjen e një "Benzi" 10 ditë më parë në zonën e Yrshekut në Tiranë.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Luna". Si rezultat i këtij operacioni u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve: - R. N., 19 vjeç, E. N., 46 vjeç dhe G. N., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë", njofton policia.
Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet e tjera hetimore ka rezultuar se këta persona, më datë 09.10.2023, kanë vjedhur një automjet tip "Benz", në Yrshek. Pasi e kanë vjedhur automjetin, dyshohet se këta shtetas e kanë çmontuar atë dhe pjesët e tij i kanë shitur në pika shitjesh për pjesë të përdorura automjetesh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.