Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë mëngjesin e sotëm në Tiranë, një tjetër u shpall në kërkim si dhe u proceduan në gjendje të lirë tre të mitur, të akuzuar për vjedhje.
Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se 31-vjeçari me inicialet F. G., personi i shpallur në kërkim me inicialet A. K, dhe tre të miturit, dyshohen autorë të tre vjedhjeve me thyerje gjatë natës në rrugën "Llazi Miho". Më konkretisht, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë marrë një shumë parash në farmacinë e shtetasit M. T., disa sende në një kioskë si dhe një shumë parash në bar-bilardon e shtetasit V. H.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa prej sendeve të vjedhura si dhe sendet që përdornin këta shtetas për të kryer vjedhjet.