Durrës- Një 44-vjeçar është arrestuar nga uniformat blu për vjedhje.

I arrestuari i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari u kap në lagjen nr. 12, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Blutë sekuestruan produktet e vjedhura dhe mjetet që dyshohet se i përdorte për të kryer vjedhje. 

“Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë patrullimit në lagjen nr. 12, në orët e para të mëngjesit të sotëm, kanë konstatuar një shtetas duke u larguar me vrap nga një farmaci. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë kapur shtetasin I. D., i cili mbante një çantë me produkte të cilat rezultoi se i kishte vjedhur në farmaci. 

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin I. D., 44 vjeç, banues në Durrës. 

Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.