DURRES – Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë për Gentjan Bejtjen, të akuzuar për vjedhjen e makinës me të cilën 5 ditë më parë u krye atentati vdekjeprurës ndaj kryekomisarit Dritan Lamaj.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit ka kërkuar lirimin e tij nga salla me argumentin se nuk ka prova që vëretojnë se është ai autori i vjedhjes, edhe pse ditën që u arrestua vetë Gentjan Bejtja pranoi autorësinë.

Ndërsa Prokuroria nga ana e saj ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 45 ditë për t’i lënë kohë organit të akuzës të plotësojë dosjen.

30-vjeçari u arrestua në Durrës si i dyshuari kryesor për vjedhjen e automjetit BMË, automjet ky i përdorur nga autorët e dyshuar për atentatin ndaj ish-shefit të komisariatit numër 6 Dritan Lamaj, mbrëmjen e 24 shkurtit në zonën e “Vasil Shantos” në kryeqytet, teksa ky i fundit dilte nga makina për t’iu drejtuar banesës së tij.

Pronari i automjetit në fjalë denoncoi dy ditë para ekzekutimit të kryekomisarit se automjeti i tij ishte vjedhur, ndërsa dy ditë pas atentatit ky automjet u gjet në Domje të Tiranës në gjendje gjysmë të djegur, pasi autorët e dyshuar kishin tentuar t’i vinin flakën për të fshirë gjrumët. por shiu i asaj nate ka shuar flakët duke djegur vetëm pjesën e brendshmë të makinës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)