Një polic është pezulluar nga detyra ditën e sotme në Tiranë, pasi akuzohet për vjedhje. Është pezulluar nënkomisari Kledian Çaushaj, me detyrë specialist pranë Njësisë së Posaçme Operacionale “Enfast” (njësia për kapjen e personave në kërkim), në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Çaushaj u shkarkua pasi, pas një hetimi disa mujor, rezultoi se ai, gjatë ushtrimit të detyrës si specialist pranë Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vitin 2016, ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash, me vlerë 5.5 milion lekë.
Shuma monetare ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në kuadër të një procedimit penal.
Polici akuzohet se nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Procedurës Penale për dispononim e provës materiale mbi kthimin e sendeve, pronarëve të ligjshëm, të cilëve iu ishin sekuestruar në kuadër të hetimit.
Po ashtu, ai nuk ka përmbushur detyrimet për zbatimin e vendimit të gjykatës për kthimin e sendeve të sekuestruara. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.