Tiranë - Kjo makinë e bardhë “Audi Q5”, e sekuestruar tashmë dhe e parkuar në oborrin e Komisariatit nr. 6 në Tiranë, ishte shkaku kryesor i arrestimit të një italiani në kryeqytet. Angelo Esposito, 35 vjeç, e vodhi makinën dhe tentoi të largohej me shpejtësi, por pasi policia iu vu në ndjekje, arratia e tij bashkë me makinën e vjedhur nuk zgjati shumë.
Pronari i makinës “Audi”, rreth orës 19:00 të së shtunës, doli nga mjeti dhe e la të ndezur në rrugën dytësore pranë autostradës Durrës-Tiranë, çka i dha mundësinë të riut italian të hyjë brenda dhe të niset me shpejtësi, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ai përshkoi zonën e Astirit, ndërsa shpejt iu vu pas policia, efektivë të Rrugores dhe Komisariatit nr. 6.
Gjatë ndjekjes në operacionin “Last Escape”, italiani Esposito kreu manovra të rrezikshme dhe u përplas me disa makina në Unazën e Madhe të kryeqytetit, duke lënduar në krah edhe një punonjës policie në krye të detyrës, fatmirësisht pa dëme të rënda. Kur pa se nuk kishte asnjë mundësi arratisjeje, 35-vjeçari ndaloi dhe u arrestua nga policia.
Italiani refuzoi të japë deklarime për policinë, pas arrestimit. Burime thonë se i riu refuzoi të japë edhe gjeneralitetet e emrit, ndërsa me vete nuk i iu gjet asnjë dokument. Policia është lidhur me ambasadën italiane në Tiranë për të marrë më tepër informacion për aktivitetin e tij në Shqipëri.
Burimet thanë se 35-vjeçari ishte në Shqipëri prej më shumë se 1 jave dhe është me origjinë nga Napoli. Fillimisht policia dyshoi se mund të ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë me probleme të shëndetit mendor, nisur edhe nga mënyra e reagimit në seancën e marrjes në pyetje.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento