Vokshi akuza të forta nga Sarajeva:
Gratë viktima të korrupsionit

Vokshi akuza të forta nga Sarajeva:<br />Gratë viktima të korrupsionit
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi, mori pjesë në Konferencën Rajonale për të “Drejtat e Grave në Evropë dhe Ballkan”, që po mbahet në Bosnjë-Hercegovinë.

Në fjalën e saj në konferencë, deputetja e Partisë Demokratike ngriti shqetësimin për statusin e rënduar të grave dhe vajzave në Shqipëri, sipas saj, për shkak të korrupsionit të madh në të gjitha nivelet e qeverisjes. 

Vokshi tha se në Shqipëri nuk respektohen të drejtat kushtetuese si: e drejta per arsimim, e drejta për shërbime sociale e shëndetësore, e drejta e strehimit dhe e pronës. Në referencë të kësaj, ajo përmendi keqtrajtimin e‎ grave dhe fëmijëve në periferi te Tiranës (Shkozë) në shkelje të Konventave Europiane dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të miratuara nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në 1966.

"Shumë gra dhe vajza kanë humbur shpresën për jetën. Mediat europiane flasin për një eksod trishtues të fëmijëve shqiptarë drejt Europës me dijeni të prindërve të tyre, të cilët nuk gjejnë rrugë tjetër si ti shpëtojnë nga varfëria. Mbi 56% e shqiptarëve, të tronditur nga traumat e varfërisë në familje, planifikojnë të lënë Shqipërinë dhe të kërkojnë një jetë më të mirë diku në Evropë e Amerikë”, deklaroi Vokshi.

Gjatë fjalës së saj, deputetja demokrate foli për eksodin e mbi 300 mijë shqiptarëve dhe renditjen e Shqipërisë në vendin e dytë për numrin e azilkërkuesve pas vendeve të konfliktit.

“Në Shqipëri nuk ka luftë, por ka keqqeverisje, shtypje të të drejtave të njeriut, korrupsion dhe pasiguri. Disa qeveritarë erdhën si përfaqësues të krimit në Parlament dhe në institucione. Një problem tjetër madhor është edhe rritja e prodhimit dhe eksportimit të drogërave të lehta dhe kthimi i korridorit në Shqipëri për drogërat e forta duke rritur kështu krimin e organizuar.

Me paratë e drogës, Edi Rama bleu pushtetin e tij absolut. Sot në 90 përqind të kabinetit qeveritar dhe të institucioneve te larta shtetërore në detyrë janë pasardhësit biologjikë të Byrosë famëkeqe politike të diktatorit Enver Hoxha që urdhëruan: vrasjet, burgosjet dhe torturat e  mijëra intelektualëve dhe patriotëve shqiptarëve që kundërshtonin regjimin komunist. Në këtë betejë me të keqen, gratë mbeten viktima nëse askush nuk i përkrah, nëse ne të gjitha bashkë nuk mblidhemi për të gjetur rrugët si të bëhemi barrikadë e sistemeve që shtypin e përcmojnë njerëzimin, e që  blejnë edhe vendim-marrjet në Bruksel”, theksoi Kryetarja e Forumit të Gruas të Partisë Demokratike në konferencen rajonale për të drejtat e grave në Ballkan dhe Evropë që u mbajt nën kujdesin e fondacionit suedez "Jarl Hjalmarson Foundation". 
Në këtë Konferencë morën pjesë përfaqësuese nga parlamentet e vendeve të Rajonit dhe Suedisë.

Vokshi zhvilloi takime bilaterale me kryetaret e Forumeve Politike te Grave të Partive të Djathta, nga ku u dakordësua për një Lëvizje Rajonale për fuqizimin e statusit të gruas.‎

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011