Vokshi: Rama të shpallet non-grata
Xhaçka: PD i trembet reformave

Vokshi: Rama të shpallet non-grata<br />Xhaçka: PD i trembet reformave
Vetëm një ditë përpara protestës së paralajmëruar nga opozita, për tu realizuar përpara parlamentit, Albana Vokshi ka ashpërsuar tonet duke ftuar shoqërinë civile që të nisë nënshkrimin e një peticioni për shpalljen non-grata të Kryeministrit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste e cila përmes Olta Xhaçkës ka thënë se PD i trembet reformave të qeverisë.

Kjo sipas Vokshit, duhet të vijë si përgjigjie ndaj thirrjeve raciste që bëri Rama gjatë një takimi në Sarandë, kundër veriorëve.
Albana Vokshi ka deklaruar se Rama ka kohë 24 orë që të largohet nga vendi, pasi në të kundërtëndo të ketë pasoja.

“Inkurajoj shoqërinë civile të angazhohet në mbledhjen e firmave për të shpallur Edi Ramën person non grata” ka thënë Vokshi.

Ajo shtoi se Kryeministri shkeli Kushtetutën, ndaj ai duhet të japë dorëheqjen për thirrjet raciste.

“Ai ka afat 24 orë të ikë nga Tirana! Më pas populli merr fatet e tij në dorë”, është shprehur deputetja Vokshi në një intervistë.

“Era e revolucionit demokratik në Shqipëri ka nisur dhe shqiptarët ,me besimin në Zot, do ta fitojnë këtë betejë për të drejtën! Agjendat e lëvizjeve popullore janë të qarta: nuk ka kthim prapa deri në largimin e qeverisë më të korruptuar në Shqipëri. Diktaturat janë sistemet që rrëzohen me revolucione, që hapin më pas rrugën për të përgatitur rotacionet e pushteteve me votë të ndershme“, ka vijuar ajo.

Menjëherë pas kësaj ka deklaruar deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka e cila ka thënë se Bashkimi Europian vijon që të mbështesë reformat e qeverisë,ndërkohë që PD ska asnjë kauzë për të protestuar, veç ardhjes në pushtet me pahir.

Sipas Xhaçkës, deklarata e Vokshit ka nxjerrë në pah aryesn e vërtetë të protestave, atë të thirrjeve skandaloze, për shpalljen non-grata të Kryeministrit, duke theksuar qartësisht se PD nuk ka një kauzë për të protestuar.

Sipas Xhaçkës, të tilla deklarata tregojnë se Partia Demokratike kërkon të marrë pushtetin me forcë dhe se iu frikësohet reformave të ndërmarra për rimëkëmbjen e vendit.

Ajo shtoi se PD-ja në këtë prag festash po blen njerëzit në nevojë për të dalë dhe për të protestuar.

Ajo tha se, revolucioni i Shqupit është një sajesë egoiste.
 
Deklaratë për media e deputetes Olta Xhaçka:
 
Teksa Bashkimi Europian vazhdon të vlerësojë reformat e ndërmarra nga qeveria dhe përparimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, Partia Demokratike, e gjendur pa asnjë kauzë reale përveç nevojës për të ardhur me pahir në pushtet, vazhdon e bën thirrje për revolucion.
Sot shtypi i shkruar ka nxjerrë në dritë disa fakte të cilat nuk duhen anashkaluar, të cilat tregojnë synimet e vërteta të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, por edhe mjetet që ata janë duke përdorur.
Në një intervistë për një të përditshme, nje deputete e Partisë Demokratike i bën sot një ultimatum Kryeministrit te vendit, të cilit i bën thirrje të largohet nga vendi brenda 24 orëve, në të kundërt do të shpallet non grata. Përveçse një thirrje skandaloze për të thënë pak, kjo është nuk është tjetër veçse nje tregues se pavarësisht se nuk kanë asnjë kauze, asnjë oponence politike apo programore, zyrtaret e partisë demokratike kërkojnë përmes forcës dhe ultimatumeve të zëvendësojnë një qeveri legjitime, një mazhorancë të mbështetur fuqimisht nga vullneti i shqiptarëve, jo një herë, por në dy palë zgjedhje njëra pas tjetrës.
Kauza e Partisë Demokratike është e thjeshtë: nga njëra anë duan të marrin me çdo kusht pushtetin, nga ana tjetër i frikësohen reformave të kësaj mazhorance që synojnë rimëkëmbjen e shtetit, e sidomos i frikësohen reformës në drejtësi, të cilën me sa duket duan me çdo kusht ta bllokojnë.
Rruga që Partia Demokratike ka zgjedhur për të tentuar destabilizimin e vendit, për të organizuar turbullira dhe protesta të dhunshme mu në prag të festave të fundvitit, është përmes parasë së piset dhe blerjes së njerëzve më në nevojë.
Në një tjetër të përditshme, një prej protestuesve të 8 Dhjetorit, pranon se kishte ardhur në Tiranë jo për të protestuar, por për të gjuajtur dhe sulmuar institucionet me gurë. I riu, vetëm 16 vjeç, pranon në intervistë se zyrtarë të Partisë Demokratike mbushnin autobusët në rrethe të ndryshme të Shqipërisë me njerëz, të cilët i paguanin 10 mijë lekë për të marrë pjesë në protestë.
Pas kësaj dëshmie, ku e gjejnë kurajon përfaqësues te Partise Demokratike qe bëjnë thirrje për revolucion?  Në emër të kujt flasin deputete si Albana Vokshi, Arben Ristani apo Edi Paloka për ultimatume? Në emër të këtyre fëmijëve që blihen me para të thata në dorë për të ardhur në Tiranë e për të sulmuar institucionet?
Që gjoja revolucioni i Shqupit është një sajesë egoiste e kupton çdo shqiptar.
Që Partia Demokratike po bën çmos që reforma në drejtësi, integrimi europian dhe forcimi i shtetit ligjor të dështojnë, edhe këtë nuk është zor për ta kuptuar. Por fatmirësisht, janë shumica dërrmuese e shqiptarëve që i duan këto reforma dhe kanë votuar bindshëm këtë mazhorancë në zgjedhje të përgjithshme e më pas në zgjedhje lokale, për të çuar përpara këto reforma,  te cilat janë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska

Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska