Tensione dhe përplasje fizike janë regjistruar në Shkodër mes simpatizantëve të Partisë Demokratike dhe policisë së Shtetit në hyrje të Pallatit të Sportit ' ku është vendosur KZAZ nr.2. Incidenti ka ardhur pasi anëtarët e KZAZ nuk janë lejuar nga militantët e PD-së që të hyjnë në ambientet e brendshme. Për të mundësuar këtë kanë ardhur në ndihmë Policia e Shtetit por mbështetësit e opozitës janë konfrontuar edhe me policinë. I pranishëm në këtë konflikt ka qenë edhe ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, i cili në një prononcim për Report Tv është shprehur se policia e shtetit po dhunon qytetarët me urdhra politikë, ndërsa sipas tij Bashkia po zbaton dekretin e Metës.

"Ishte nje situate e turpshme per te perdor polcinë e shtetit për të hap ambjente  ne pronësi të bashksië së Shkodrës. Në baze të dekretit të Presidentit i ka dërguar një kërkesë zyrtare për të mos lejuar abjentin në pronësi të saj për të zhvilluar këtë proces. Policia ka tentuar të hapë me forcë për të hyrë disa persona që policia ka tentuar ti fusë me dhunë. Pati një konfrotimin  mes qytetarëve dhe policisë që po zbatonte urdhra nga eprorët. Eprorët politik vendosin ta përdorin policinë e shtetit. Minimalisht duhej të pritej përgjigja dhe pastaj të vepronte. Por u dhunuan ambjentet ne pronësi të bashkisë së Shkodrës. Do vazhdojmë të jemi këtu" është shprehur Bardh Spahia. Ndërkohë mëngjesin e sotëm kryetarja e Bashkisë Shkodrës i ka dërguar një kërkesë zyrtare Policisë së këtij Qarku, ku i kërkon që të ndërhyjë për të liruar ambient  ku janë vendosur KZAZ-të për zgjedhjet e 30 qershorit. 

Në letrën e saj kryebashkiakja Voltana Ademi e Partisë Demokratike i ka kërkuar policisë të mbështesë Bashkinë për zbatimin e vendimit të presidentit të vendit Ilir Meta, për të anuluar 30 qershorin e për pasojë i ka kërkuar të ndihmojnë në lirimin e ambienteve. Ademi i referohet ligjit për qeverisjen vendore dhe për këtë arsye kërkon që Policia të ndihmojë në lirimin e KZAZ-ve nr.2, nr. 4 dhe nr.5. Ndërkohë që kërkesa nga Bashkitë e drejtuara nga opozita i kanë kërkuar KQZ-së që të zbatojë dekretin e presidentit Meta, dhe të lirohen ambientet e KZAZ-ve, kërkesë kjo që nuk është marrë parasysh deri më tani.