Në tryezën e përbashkët mes autoriteteve publike, partnerëve evropainë, shoqërisë civile dhe organizatave të medias me tematike e drejta për informim, kryeministri Edi Rama vuni në dukje përparimin e Shqipërisë në fushë në raport me publikun.

Rama tha se shkak për mosmarrje të informacionit është përtacia burokratike duke thënë se ka kërkuar vënien në zbatim të sanksioneve për çdo ministër dhe sekretar të përgjithshëm përkatës nëse nuk ka dhënie të informacionut brenda kuadrit kohor të përcaktuar.

“Një pjesë e konsiderueshme e problematikave që vijnë këtu lidhet me përtacinë burokratike. Nuk është një barrikadë për të mbajtur informacionin, por një problem i funksionimit të administratës kur vjen puna te intensiteti me të cilin vijnë kërkesat dhe intensiteti me të cilin duhet dhënë përgjigja. Kjo është e përmirësueshme, por jo në ritmin që do të prisnin ata që e shohin gotën gjysmë bosh.

Për të qenë shumë transparent, unë i kam bërë komisionerit një vërejtje se ka një element të munguar në veprimtarinë e tij, që është ai i sanksioneve për autoritetet më të larta. Dhjetë ditë është koha për t’u përgjigjur, pavarësisht se kjo mund të jetë shumë për intensitetin me të cilin sot zhvillohet bota e informacionit. Nëse në ditën e 11-të nuk ka përgjigje, duhet të ketë sanksione.

I kemi kërkuar ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie te sekretarët e përgjithshëm. Duhet të sanksionohen si ministrat ashtu edhe sekretarët e përgjithshëm. Nëse kjo ndodh disa herë, do të krijohet një ndjesi urgjence, e njëjtë me atë që funksionon te ata që e shohin gotën gjysmë bosh”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar klimën e punës së gazetarëve dhe për të ulur presionin ligjor ndaj medias, duke theksuar se nuk ka pasur padi penale ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë në vitet e fundit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:20
Rama: Shpifja dënohet penalisht, por ne do të heqim aspektin penal për gazetarët ! Jo mjaftueshëm për të thënë se ju kërkoni ‘qiqra në hell’

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar klimën e punës së gazetarëve dhe për të ulur presionin ligjor ndaj medias, duke theksuar se nuk ka pasur padi penale ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë në vitet e fundit.

“Nuk dua të hyj në të thella se pastaj na thyhet gota nëse do flas unë për cfarë ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Dua të them që ne ndërkohë ne kemi marrë dhe një angazhim tjetër që tregon të kundërtën e asaj që thuhet nga gota gjysmë bosh që ta dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në këto vite, as nuk ka pasur padi për gazetarët, sepse i kemi ndaluar të gjitha paditë prej shumë vitesh. Ne do ta bëjmë edhe këtë hap tjetër, një hap që shkon në drejtim të relaksimit të mëtejshëm të situatës së gazetarëve. Edhe unë nuk besoj se është liria e shprehjes, por është liria e shpifjes. Po kjo temë nuk është për këtë tryezë dhe unë nuk dua të thyej gotën tani. Shpresoj se adresova disa gjera. Ne nuk jemi në kushtet kur shprehim vullnet, por jemi në kushtet kur në mënyrë sistematike përpiqemi që vullnetin e shprehur ta materializojmë me progres.

Edhe në këtë aspekt kemi bërë progres të mjaftueshëm sipas meje për të qenë optimist, se mund të bëjmë më shumë progres, jo mjaftueshëm për të thënë se ju po kërkoni ‘qiqra në hell’ se ne kemi bërë ndonjë mrekulli. Absolutisht jo. Unë i mirëkuptoj ankesat sepse ju jetoni me këtë punë dhe nuk keni pse të jenë të kënaqur me ne. Ndërkohë ne e kemi për të detyrë të jemi të kënaqur me ju në të gjitha rastet”, tha Rama.

Ora 11:13
Ambasadori i OSBE: Të angazhuar për të përmirësuar qasjen e informacionit, zhvillojmë protokollin e KLD dhe Prokurorisë së Përgjithshme

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Michel Tarran, gjatë fjalës së tij në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare për të drejtën e Informimit, vlerësoi miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave vitin e shkuar si një hap të rëndësishëm përpara, duke shtuar se legjislacioni është i harmonizuar me rregulloren e të dhënave të BE.

“Dua të theksoj arritjet kryesore të bëra në mbrojtjen e të dhënave, miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave në dhjetor 2024, që shënon hap përpara. Ky legjislacion tani është i harmonizuar plotësisht me rregulloren e mbrojtjes së të dhënave të BE dhe direktivat në zbatim të saj. Duke reflektuar për bashkëpunimin tonë, vërej një bashkëpunim të frytshëm midis pranisë së OSBE në Shqipëri dhe institucionit tuaj. Iniciativat tona janë përqendruar te rritja e ndërgjegjësimit dhe qasja praktika në mbrojtjen e të dhënave dhe hetimet siç janë lidhja mes të drejtave të njeriut dhe të drejtave dixhitale”, tha ai.

Ndër të tjera ai theksoi se synojbë të zhvillojnë më tepër protokollin e KLD dhe të asistojnë në hartimin e strategjisë së komunikimit për Prokurorinë e Përgjithshme.

"Këtë verë ndërmorëm dy iniciativa, njëra kishte të bënte me KLD dhe tjetra me Prokurorët e përgjithshëm. Këto dy aktivitete përmirësuan komunikimin me median dhe publikun u realizua falë përmirësimit, ushtrimeve praktike që shteruan vetëbesimin te komunikimi me median, tek përcjellja e efektshme e mesazheve.

Për më tepër, iniciativa ndihmojnë gjyqtarë dhe prokurorë të familjarizohen me ligjin për të drejtën e informimit dhe përgjegjësitë e tyre për të siguruar përputhshmëri. Kështu janë hedhur themelet për punë  e vitit tjetër, ku ne synojmë të zhvillojmë më tepër protokollin e KLD dhe të asistojmë në hartimin e strategjisë së komunikimit për Prokurorinë e Përgjithshme. Prania e OSBE mbetet e angazhuar të përmirësojë qasjen e informacionit”, u shpreh ndër të tjera ambasadori.

Ora 10:13
Konferenca për Informim, Komisioneri Dervishi: Transparenca një nga shtyllat themelore të qeverisjes së mirë

Në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025, u zhvillua sot Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, me temë “Agora e transparencës në kohën e integrimit”, e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, theksoi se transparenca përbën një nga shtyllat themelore të qeverisjes së mirë dhe është një element thelbësor për ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe publikut.

 “Transparenca përbën një shtyllat themelore të një qeverisje të mirë, është një e drejtë kushtetuese për shtetasit, një detyrim për zyrtarët publikë dhe një kulturë pune që nxit integritetin në çdo hallkë të administratës publike. Raporti i Komisionit Europian 2025 thekson se ligji  për të drejtën e informimit është në përputhje me standardet e BE-së, por zbatimi i saj në praktikë është ende i paqendrueshëm”, tha Dervishi gjatë fjalës së tij.

Komisioneri Dervishi evidentoi si problematikë kryesore mosrespektimin e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve, interpretimit të gabuar të kufizimeve ligjore, por shpesh edhe për shkak të neglizhencës.

Në përfundim, Dervishi theksoi se zbatimi i drejtë i ligjit për të drejtën e informimit kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet publike, shoqëria civile, media, bota akademike etj.