Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për anulimin e kontratës koncesionare të Aeroportit të Vlorës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ky vendim erdhi pasi skaduan afatet e përfundimit të punës në këtë objekt.
Puna në Aeroportin e Vlorës ishte parashikuar të përfundonte në muajin shkurt të vitit 2026. Pasi kjo nuk u arrit, kontrata parashikonte edhe një afat 90 ditor për përfundimin e punimeve.
Duke qenë se edhe pas këtij afati 90-ditor përfundimi i punimeve nuk u arrit, për shkak të mosmarrëveshjeve të 2 kompanive koncesionare, 'MABCO' të drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli dhe 2A Group të drejtuar nga Valon Ademi, në muajin maj ministri Enea Karakaçi vendosi një ultimatum 30 ditor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pacolli dhe Ademi, që prej fundit të vitit të kaluar janë përfshirë në beteja të shumta ligjore kundër njëri-tjetrit, për pronësinë e aeroportit të Vlorës (përqindjen e aksioneve).
Megjithatë, pavarësisht ultimatumit të Karakaçit, mosmarrëveshjet mes 2 kompanive filluan të thelloheshin, ç'ka çoi edhe në nisjen e procedurave të anulimit të kontratës koncesionare, gjë që është e parashikuar edhe në pikën 15.4 shkronja D e kontratës, në seksionin për zgjidhjen e parakohshme të kontratës.
Gjithashtu mësohet se janë vendosur edhe gjoba kundrejt kompanive kontraktuese, për shkak të vonesave në përfundimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës. Synimi është që administrimin e Aeroportit të Vlorës ta marrë në dorë vetë shteti, një mundësi e cila do të kërkojë procedura të shumta ligjore dhe ndoshta edhe kohë të gjatë për t'u realizuar.
Vetë Pacolli disa javë më parë ka njoftuar nisjen e procedurave për arbitrazh ndërkombëtar ndaj shtetit shqiptar, duke akuzuar institucionet për mosveprim në zhbllokimin e kantierit të Aeroportit të Vlorës.

Kushtet e parashikuara për zgjidhjen e parakohshme të kontratës nga autoriteti kontraktues










Komente
Komento