TIRANE - Gjykatat në vendin tonë vonojnë zbardhjen e vendimeve sipas parashikimeve në ligj dhe kjo sjell edhe pamundësinë e palëve për të ankimuar vendimin e gjykatave. Një trend i tillë vihet re në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, por se nuk mbetet pas gjykata e lartë.

Gjykatat Administrative janë në 46 për qind korrektë në afatin e zbardhjes së vendimeve. Gjetjet e mësipërme janë kryer nga INFOÇIP, që për të dytin vit radhazi, ka vlerësuar dorëzimin e vendimeve gjyqësore në gjykatat më të mëdha shqiptare.

Për të realizuar të gjitha vlerësimet për vitin 2014, INFOÇIP disponoi dhe përpunoi 15235 vendime gjyqësore.

Kjo është një shifër jashtëzakonisht e lartë dhe cakton një rekord të ri të procesimit të të dhënave zyrtare për efekt monitorimi në Shqipëri. Objekt vlerësimi për vitin 2014 kanë qenë Gjykata e Lartë, Gjykatat e Shkallës së parë në Tiranë dhe Durrësi si dhe ajo e Apelit të Tiranës.

Po kështu u vlerësimi u ndërmor edhe për Gjykatën Administrative e Apelit, e vetme në llojin e saj, si dhe pë Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Për herë të parë është realizuar edhe një analizë e detajuar krahasuese mes treguesve të vitit 2013 dhe 2014 për gjykatën e Faktit Tiranë, Gjykatën e Apelit Tiranë si dhe për vendimet e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)