Vota e diasporës në ngërç, PS dhe PD gati për të ndryshuar Kodin Zgjedhor! Gjiknuri e Kaso për Report tv: Të adresojmë problemin

Dy partitë më të mëdha, PS dhe PD i përgjigjen shqetësimit të KQZ-së se duhen marrë masa që votat e diasporës të mos digjen. Postat kërkojnë 30 ditë kohë për ta dërguar e kthyer zarfin e votës, e me ligjet aktuale KQZ nuk ka as 15 ditë afat për ta kryer këtë proces. Opsionet në tavolinë janë, ose ndryshim i Kodit Zgjedhor me bashkim votash PS-PD, ose faturë prej 200 eurosh për çdo votues me postë ekspres.

“Barra buxhetore për ta bërë funksionale votën e emigrantëve është 100 euro, 200 apo 1000, këto janë aspekte logjistike për të cilat partitë nuk kanë ende një informacion të saktë”, thotë se Ivi Kaso Sekretar për Çështjet Zgjedhore, PD.

“Mjafton që ne vetëm të ndryshojmë disa afate në Kodin Zgjedhor, duke afruar ditën e regjistrimit, kjo është zgjidhje më e përshtatshme dhe me kosto më të ulët, sepse nëse shkohet me postë expres, kostoja e votimit do të jetë shumë e lartë”, thotë Damian Gjiknuri, Sekretar për Çështjet Zgjedhore, PS

Palët përplasen sa i takon rolit që po luan KQZ deri më tani për të realizuar votimin nga jashtë.

Kaso: Alarmi i ngritur nga shumë media, nuk është në të njëjtin nivel me alarm të ngritur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Duhet të kuptojmë në radhë të parë madhësinë e problemit.

Gjiknuri: Mendoj se KQZ e ka bërë detyrën e saj qoftë me letrat e saj më shkrim, qoftë me deklarata publike. Ajo që më mbetet mua është të bëj një amendim unilateral, por këtë nuk e bëj dot se nuk i kam votat.

Kaso: Palët bashkë i bën shqetësimi, por shqetësimin duhet ta ngrejë në mënyrën dhe formën e duhur institucioni përgjegjës. E ka KQZ, nuk e kanë partitë, të cilat e kanë kryer detyrimin e tyre.

Gjiknuri: Ne të bëjmë një lëvizje të arsyeshme që do të jetë afrimi me 10 ditë, që nuk është ndonjë gjë e madhe, për paraqitjen e listës së kandidatëve, me qëllim që t’i japim KQZ-së kohë të printojë fletët e votimit. Nëse kaq nuk e bëjmë e nuk ka konsensus, do të jetojmë edhe me këtë. Barra do t’i ngelë KQZ-së, dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet për ta realizuar këtë proces. Por fatkeqësisht do të ketë një pjesë të madhe nga diaspora që nuk do ta ushtrojnë dot këtë të drejtë vote.

PS dhe PD bien dakord të bashkojnë votat për Kodin Zgjedhor, proces i cili mund të kryhet gjatë muajit janar.

Kaso: Ftesës institucionale do t’i përgjigjemi në formë institucionale dhe do të marrim përgjegjësitë.

Gjiknuri: Edhe nga ana tjetër duhet të kemi kaq arsye sa të ulemi dhe ta bëjmë, pasi këtu nuk ka nevojë për ndonjë dialog të madh. Afrimin e datave, vetëm kaq kërkon, nuk është komplekse.

Kaso: Jemi të angazhuar që nëse ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë e vetmja mënyrë për të adresuar problemin, si zgjidhje e fundit, sigurisht do të marrim përgjegjësitë tona.

Gjiknuri: Është një vendim që merret për një ditë dhe votohet në një seancë. Kaq. Unë e kam thënë edhe publikisht, do ta bëj edhe me letër, është gjë që do të bëhet shumë thjesht.

Pavarësisht debateve, PS dhe PD përmes përfaqësuesve të tyre në Komisionin Rregullator nuk e kanë bll0kuar procesin, por kanë gjetur zgjidhje pavarësisht problemeve që kanë dalë.

K.T./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Biden dhe Macron do të shpallin armëpushimin në Liban nesër

Media: Biden dhe Macron do të shpallin armëpushimin në Liban nesër