Me shumicë votash, Parlamenti grek ka aprovuar projektligjin për refugjatët që parashikon kthimin në Turqi të të gjithë atyre që kanë kaluar në ishujt grekë nga brigjet turke.

Një veprim i tillë ishte i nevojshëm që të ndërmerrej nga legjislativi grek në mënyrë që t’i hapej rruga implementimit të plotë të marrëveshjes së firmosur mes Bashkimit Europian dhe qeverisë së Ankarasë. Ligji i ri u aprovua nga 169 anëtarë të Parlamentit në të cilin bëjnë pjesë 300 deputetë.

Kthimi i valës së parë të emigrantëve drejt Turqisë është parashikuar që ndodhë ditën e hënë, më datë katër prill. Autoritetet kanë bërë me dije se afro 750 azil-kërkues do të kthehen në territorin turk, por ende nuk dihet se nga ku do të largohen emigrantët.

Aktualisht në Greqi ndodhen të bllokuar 51.000 emigrantë. Pjesa me e madhe janë të shpërndarë kryesisht në pesë ishuj grekë, në portin e Pireut si dhe në kampin e Idomenit.

Redakia Onlime
(m.b/shqiptarja.com)