Vota në OKB,Shehu:Aventurizëm
Shqipëria mund të abstenonte

Vota në OKB,Shehu:Aventurizëm<br />Shqipëria mund të abstenonte<br /><br>
Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu u shpreh në studion e Report Tv se Shqipëria mund të shmangte votën kundër SHBA-së në OKB për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit. Sipas tij, Tirana zyrtare të paktën duhet të abstenonte, gjë e cila, tha Shehu, do shmangte pozicionimin kundër aleatit strategjik të shqiptarëve. Sipas deputetit të PD, qëndrimi në OKB prek interesat e shqiptarëve kudo që janë.

"Çdo element antiamerikanizmi, pavarësisht se kush e ka shtyrë, është në kundërshtim me interesat kombëtare dhe duhet ndryshuar. Duhet të votonim kundër rezolutës së propozuar nga OKB, pa asnjë kompleks vota e Shqipërisë duhet të kishte qenë kundër, se ky ishte qëndrimi i SHBA. Por së paku për ta zbutur pak, mund të abstenonim. Këtu kemi aventurizëm politik, mosorientim politik, megalomani dhe dëshirë për qëndrime globale, apo kemi afrimitet me elementë të tjerë, por në këtë pikë interesat tona nuk përputhen dhe ne duhet të ndjekim interesat e Shqipërisë dhe jo vendeve të tjera. Partneriteti me SHBA tejkalon ndihmat ekonomike, pa SHBA-të nuk e di si do shkonte demokratizimi i Shqipërisë apo si do ishin sot shqiptarët e Maqedonisë dhe pastaj edhe Kosova", tha Shehu, duke e vënë theksin te faktori shqiptar në rajon. 

Për Shehun Kosova dhe shqiptarët në shtetet e rajonit kanë ende nevojë për mbështetjen e Uashingtonit. "Janë interesa madhore dhe historike. Kosova është e lirë, shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e qeverisë, shqiptarët në Mal të zi janë pjesë e qeverisë, po luftohet për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, jemi vend anëtar i NATO-s. A ka impakt më të madh që të humbin ndihmën dhe mburojën e SHBA. Kosova nuk ka marrë ende zgjidhje përfundimtare. A mund të imagjinohet që Kosova të bëhet pjesë e OKB pa ndihmën e SHBA. Gabimi është i dimensioneve historike duke votuar pro rezolutës së Egjiptit. E paralajmëroi presidenti Trump shumë qartë, foli edhe ambasadorja e cila tha se s'do harrojmë vendeet që nuk na respektuan në këtë votë. Kosova është e para që goditet sepse ende është në një proces ku ka probleme të shumta. Kosova ka nevojë akute për ndihmë nga SHBA", tha deputeti demokrat. 

Ai i kërkoi presidentit të Republikës Ilir Meta që të shqyrtojë hapat kushtetues për të korrigjuar, sipas tij, gabimin historik në OKB. "Unë mendoj se Presidenti i Republikës duhet të ndërmarrë hapa kushtetues për ta atakuar këtë votë. Deklarata e tij është publike dhe e përshëndes për deklaratën, por tashmë duhet të konsultohet me konstitucionalistë për të parë rrugët kushtetuese për të goditur këtë vendim kundër interesave shqiptare. Të goditet ky vendim qoftë edhe me një rezolutë të Parlamentit shqiptar", tha ai, duke shtuar se qeveria shmangu konsultimin edhe me komisionin e Jashtëm. 

"Vendimi ishte i paramarrë, nuk është konsuiltuar as në komision të Jashtëm dhe as me Presidentin e Republikës. Jam i bindur se edhe socialistët s'do ishin dakord me këtë votë", tha ndër të tjera ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike