Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të partive opozitare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka.

Por, Manxhuka nuk tregoi për datën se kur Kurti do të takohej me krerët e tjerë partiakë.

Letra e Kurtit drejtuar kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës, Adrian Gjini vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur të tri partitë lidhur me atë se si do t'i përgjigjen ftesës së Kurtit dhe është në pritje të përgjigjeve.

Ajo që pritet pas certifikimit të rezultatit është konstituimi i Kuvendit, votimi i Qeverisë dhe presidentit të ri të Kosovës. Për këtë të fundit, vendi shkoi në zgjedhje, pasi muaj më parë partitë dështuan të arrinin konsensus rreth kandidatit.

Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.

Meqë LVV-ja duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të hasin në pengesa, pasi për të dyja këto kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Për këto dy procese, Kurti llogarit në votat e partive pakicë joserbe - që kanë dhjetë mandate.

Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit.

Cilat janë qëndrimet e partive?

Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë se partia në pushtet i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.

PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë paraqitur disa kushte për bashkëpunim të mundshëm me LVV-në e Kurtit.

Hamza ka thënë se e para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me partinë fituese.

Abdixhiku, ndërkaq, ka thënë se orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazi amerikan, “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.

Ndërkaq, Gjini ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve të reja. Ndër kushtet e Aleancës janë që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

Qeveria në detyrë e Kurtit po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Më 8 korrik, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati përsëriti thirrjen që Kosova të furnizohet me LNG-në amerikane “për të siguruar investime amerikane në të ardhmen”.

Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kurti kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.

Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.

Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.

Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025./ REL