Votimi për Kryeprokurorin, PD
nxjerr procesverbalin: I pavlefshëm

Votimi për Kryeprokurorin, PD<br />nxjerr procesverbalin: I pavlefshëm<br>
Deputetët e Partisë Demokratike denoncuan procesverbalin e votimit në Kuvend për Kryeprokuroren ku vërtetohet falsifikimi dhe manipulimi i votës së deputetëve. Sipas procesverbalit, në votim kanë marrë pjesë me votë pro disa deputetë të opozitës, ç’ka vërteton vjedhjen e votës në Kuvend. Deputeti Genc Pollo e vlerësoi këtë votim të paligjshëm si dhe publikoi edhe foton ku karta e tij e votimit merrej nga kreu i socialistëve në Kuvend, Taulant Balla.

Partia Demokratike pretendon se procesi i votimit të Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm është falsifikuar. Përmes një dokumenti të publikuar në rrjetet sociale, deputetja demokrate Jorida Tabaku thotë se në të paktën dy raste Partia Socialiste ka përdorur kartat e deputetëve demokratë. Për deputeten Tabaku ky veprim e zhyt edhe më shumë në paligjshmëri dhe antikushtetutshmëri procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

"Sot akti i zgjedhjes se PPP (Prokurorit te Perkohshem te Pergjithshem) pervecse nje puc kushtetues ishte dhe nje proces i falsifikuar. Te pakten ne dy raste deputetet e Partise Socialiste kane marre kartat dhe kane votuar duke e zhytur akoma dhe me shume ne paligjshmeri dhe antikushtetuetshmeri kete proces. Ky proces nisi dhe bitisi si i pavlefshem!", u shpreh Tabaku. 

Po ashtu ka reaguar edhe deputeti Genc Pollo, emri i të cilit ndodhet në listën e atyre që votuan Arta Markun. "Këta fallsifikojnë edhe emrin e tyre !!! Jo më votën time!!! Votimi i PPP i paligjshëm e i pavlefshëm" shkruan Pollo. Deputeti Ervin Salianji tha se do të ketë ndjekje penale për vjedhjen e votës së deputetëve në Kuvend. Sipas tij, kjo vjedhje ja delegjitimuar Kuvendin. “Ndjekje penale për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës së deputetëve! Deputetë të maxhorancës vjedhin votën në sallën e parlamentit; në prani të kamerave, të fotografëve dhe të çdo shqiptari që ndiqte këtë seancë. Mendoni çfarë kanë bërë me votën e qytetarëve. Mendoni çfarë kanë bërë dhe bëjnë me tenderat dhe aferat korruptive që janë në dokumenta që nuk i sheh dot publiku”.

Për deputetin Tritan Shehu, votimi është nul dhe antikushtetues. Sipas tij, provat janë të pakundërshtueshme për tjetërsimin e votës së deputetëve në Kuvend. “Ajo që ka ndodhur sot në sallën e Kuvendit me kartat e deputetëve, e konfirmuar edhe në listën e votuesve për prokurorin, e nulifikon me prova të pa kundershtueshme atë proces votimi. Ky proces, që filloi si antikushtetues u "asgjesua" qartësisht edhe teknikisht nga një manipulim banal. Nuk thonë kot, kush do t'i bëjë varrin tjetrit bie vetë brenda!”.

Por ajo që mund të ketë ndodhur dhe në fakt është pohuar nga deputetët e mazhorancës është se këta të fundit nuk kanë pasur kartat për të votuar, pasi një pjesë e tyre dyshohet të jenë hequr nga aparaturat përkatëse nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Maxhoranca votoi këtë të hënë në një situatë të tensionuar, Arta Markun, si Prokurore e Përgjithshme e cila do të drejtojë organin qendror të akuzës përkohësisht deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Marku ka një eksperiencë prej afro 15 vitesh në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Shkodrës, ndërsa gjatë shpalosjes së platformës së saj në Komisionin parlamentar të Ligjeve është zotuar për një Prokurori që do të veprojë konform Kushtetutës dhe do të luftojë krimin dhe korrupsionin. 

lista
(Procerverbali i votimit për Kryeprokurorin)
lista
(Prezenca në seancën e Kuvendit)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike