Paketa e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi është miratuar dje në parim me votë unanime nga komisioni i posaçëm  parlamentar për këtë çështje. Opozita dhe mazhoranca kanë votuar në parim draftin final të ekspertëve ndërkombëtarë për ndryshimet kushtetuese, duke i hapur rrugë diskutimit nen për nën, që pritet të nisë ditën e sotme në një tjetër mbledhje të këtij komisioni.

Por diskutimi nen për nen pritet të ndajë përsëri palët dhe të përbëjë pikë ndalese në ecurinë e këtij procesi pasi mazhoranca dhe opozita kanë ende pika të pa dakordësuara. Fill pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi deklaroi se opozita nuk votoi ‘pro’ çështjeve politike, por “pro” fillimit të diskutimit nen për nen të draftit.

Mësohet se PD i ka propozuar komisionit një formulë tjetër alternative për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe njerëzve të drejtësisë që nuk do të jetë as 3/5 as 2/3.

Kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, theksoi se ka votë në parim për projektin kushtetues, edhe falë kontributit të opozitës. 

Nga sot nis shqyrtimi nen për nen i paketës për ndryshimet kushtetuese e cila do të ndahet në 6 kapituj. 

Redaksia online
A.N shqiptarja.com