Pas javësh me mot të thatë e të nxehtë, duket se me afrimin e vjeshtës, po ndryshojnë disi edhe kushtet klimaterike. Sipas MeteoAlb, pjesa e parë e kësaj të mërkure do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira kalimtare.
Por pjesa e dytë e ditës do të sjelli një sistem me vranësira fillimisht në zonat veriore dhe pjesërisht ato qendrore duke gjeneruar shira afatshkurtër , të cilët herë pas herë do jenë dhe në formë rrebeshi. Orët e natës paraqiten me kthjellime dhe vranësira kalimtare.
Temperaturat e ajrit ulen lehtë me 2 gradë në mëngjes dhe mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 15°C mëngjesi deri në 33°C mesdita.
Ulja e temperaturave dhe afrimi i reshjeve të shiut rrit edhe shpresat për shuarjen e zjarreve në veri të vendit, ku më problematike situata është në Majën e Rrunës, që vijon të digjet prej gati 3 javësh tashmë.