Ekzekutimi i babë e bir në Elbasan, arrestohet Ardjan Çapja, shpallet në kërkim Florenc Çapja

ELBASAN-Arrestohet Ardian Çapja, 53 vjeç,  ndaj të cilit është bërë 3 herë atentat dhe ka mbijetuar. Ai është arrestuar në Elbasan nga forcat RENEA, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij Florenc Çapja, 40 vjeç. Të dy janë të dyshuar se kanë vrarë në 2012 babë e bir në shtëpinë e tyre, Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri.

Ardian Çapja u arrestua gjatë operacionit të koduar "Krasta 2021" në Elbasan,  i cili është një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".

Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çapja, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e  autorëve.

Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit? Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si  autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.

 

Ardian Çapja

Gentian dhe Nezir Beqiri

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:20
SKEDA/ Kush është Ardian Çapja, i shpëtoi tre atentateve dhe saga e vrasjeve në Elbasan

1617002456_capja.jpg

Ardian Çapja 

Ardian Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë shoqëruar disa herë, ndërsa në vitin 2017 u ka shpëtuar 3 atentateve me armë dhe eksploziv. Atentatet ndaj tij janë lidhur me  përplasjet e vjetra ku në shënjestër janë Çapajt.

Përplasjet ndër vite kanë lënë pas shumë viktima pjesë e familjes Çapja dhe jo vetëm. Ardian Çapja është pronari i hotel 'Unives' në hyrje të qytetit të Elbasanit. Ardian Çapja është vëllai i Sokol Çapjes, që u ekzekutua në vitin 2005 nga Gentjan Beqiri, i cili ekzekutua në 2012, ngjarje për të cilën u arrestua sot Ardian Çapja dhe u shpall në kërkim vëllai i tij Florenc Çapja.

Konfliktet e fisit Çapja

Gjithçka nisi në vitin 2005. Mes killerit me pagesë Dritan Sheme dhe njërit prej vëllezërve Çapja në Elbasan dhe më konkretisht Sokolit ishte lidhur një kontratë vdekje, ku qëllimi ishte eliminimi fizik i Rezart Çelës, i cili në vitin 2005, po mbante shtrënguar Sokol Çapjen, për shumë makineta bixhozi në qarkun e Elbasanit, të cilat në fakt ishin në pronësi të një italiani të quajtur, Paolo Mazzuco. “Kontrata e vdekjes” ishte lidhur me një vlerë 30 mijë euro, ku fillimisht Sokol Çapja kishte dhënë një pagesë prej 15 mijë euro paradhënie dhe diferenca tjetër prej 15 mijë euro, do të merrej sapo Dritan Sheme, të kishte çuar deri në fund punën e marrë përsipër, vrasjen e Rezart Çelës.

Sheme, si një killer profesionit, ekzekutoi në tetor 2005 Rezart Çelën, dhe pas disa ditësh paraqitet tek Sokol Çapja, për të kërkuar diferencën prej 15 mijë euro. Mirëpo Sokoli, pasi u lirua nga Rezart Çela, hyri në një gjendje euforie dhe nuk donte t’ia jepte kusurin e shumës së rënë dakord me Dritan Shemen. Sokol Çapja, duke qenë i influencuar nga Kamer Mehja, i cili i thoshte Sokolit se nuk duhej të kishte frikë nga Dritan Sheme, i thoshte: “...nuk duhet të kesh frikë nga Dritani, i cili është i gjatë një metër e gjysmë, kurse ti je dy metra...".

Kontrata e vdekjes mes Shemes dhe Çapjat u shpjegua nga Elton Mema, djali i Fadil Memës, i cili ishte pyetur nga prokurori Ritvan Suka në 14 shkurt 2019 në ambientet e gjykatës së Torinos, në prani të kolonelit italian Paolo Palazzo dhe Antonio Nicolletta dhe prokurorit Italian, Cezare Parodi. Në dëshminë që Elton Mema shpjegoi se ngatërresa me Çapjat ndodhi pikërisht kur babai i tij, donte të festonte ditëlindjen e 40-të, në lokalin e tyre “Univers”,ku Çapjat e kushtëzuan se nuk e donin prezencën e kushëririt të tyre Dritan Sheme në lokal.

Kalvari i vrasjeve në vite

2005

Për hakmarrje, me 26 dhjetor të vitit 2005, në një lokal pranë universitetit të Elbasanit, tre persona qëlluan ndaj Sokol Çapes, pronari i hotel Universit në Elbasan. Autorët pasi hynë në lokal iu kërkuan të klientëve që të shtriheshin ndërsa iu drejtuan Sokol Çapes duke e qëlluar atë dhe duke e lënë të plagosur rëndë, ndërsa vdiq në spital. Të dyshuar për këtë krim, policia arrestoi Armand Hasanin, kunati i Fadil Memës Dritan Shemen, si dhe Gentian Beqirin, i njohur edhe me emrin Ardian Meta. Beqiri, u dënua me 25 vite burg në Gjykatën e Apelit në Durrës, por Gjykata e Lartë riktheu çështjen ndërsa Beqiri u la në arrest shtëpie. Ai u vra me 16 gusht të vitit 2012, ndërsa dy person iu afruan banesës që ruhej me policë dhe iu prezantuan atyre se ishin djemtë e tezes së Gentian Beqirajt. Në të njëjtën ngjarje mbeti i vdekur edhe babai i tij, Nezir Beqiraj.

2006

Pas vrasjes së Çapjes në vitin 2005, me 19 qershor 2006, u vra Dritan Sheme në një banesë në kryeqytet, pak kohë pasi ishte kthyer në Shqipëri nga Italia. Për këtë krim, policia nuk ka identifikuar dot të dyshuarit.

2006

Po në vitin 2006, mbeti i vrarë kunati i Fadil Memës, Ardian Ibrahimi, i cili u qëllua pranë autoshkollës që ishte në pronësi të Memës. Po ashtu edhe për këtë ngjarje, nuk pati persona të ndaluar apo të arrestuar pavarësisht se u shoqëruan shumë të tillë.

2009

Ndërkaq në vitin 2009, mbeti i vrarë ish- efektivi i antidrogës së Elbasanit Roland Rexhepi, i njohur edhe me nofkën Doda. Për këtë krim ishin dyshuar dhe u ndaluan, Armand Llaka e Marjus Tafa e Arben Jace. Gjykata nuk i vlerësoi provat e ofruara nga prokuroria, duke liruar të dyshuarit.

2012

Ndërkaq në vitin 2012, në banesën e tij u vra Gentian Beiqiri, bashkë me babain e tij Nazim Beqiri, i cili ishte i njohur edhe si një nga miqtë e ngushtë të Fadil Memës. Për këtë krim, policia arrestoi Arben Jaçen dhe Florenc Çapjen. Edhe në këtë rast ashtu si në rastin e Rexhepit, personat u lanë të lire për mungesë provash. Jaçe pati pretenduar se gjithçka ndaj tij ishte një inskenim pa asnjë provë.

13 Mars 2015

Me 13 mars 2013, u vra në Torino të Italisë, Fadil Mema. Ai u qëllua në mbrëmje me armë zjarri duke marrë 6 plagë, poshtë shtëpisë së tij. Djali i tij Eltoni iu pohoi mediave italiane se ata i dinin autorët e vrasjes së babait të tij. Gjithë seriali i vrasjeve, i pandëshkuar nga drejtësia solli edhe masakrën e mbrëmshme me tre të vrarë dhe 8 të plagosur.

Shkurt 2016

Një atentat me armë zjarri i mori jetën një tjetër anëtari të fisit Çapja, Agron Çapja, si dhe dy personave të tjerë: Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli.

Përplasjet mes fiseve në Elbasan

26.12.2005 vritet Sokol Çapja

28.05.2006 vritet Ardian Ibrahimi

15.08.2012 vritet Gentian Beqiraj

15.08.2012 vritet Nezir Beqiraj

16.08.2012 plagoset Fadil Mema

13.03.2015 vritet Fadil Mema

03.02.2016 vritet Eno Badelli

03.02.2016 vritet Ardit Sinakolli

03.02.2016 vritet Agron Çapja

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Spiropali takohet me Begajn

Spiropali takohet me Begajn