TIRANË – Burimet pranë grupit që po heton sulmin e një dite më parë në filialin e bankës “NBG” bënë të ditur se autori që vrau arkëtaren dhe plagosin rojen është autor i një tjetër vrasje, ndodhur në tetor të vitit 2011.
Policia e Tiranës, konfirmoi zyrtarisht sot në mbrëmje se, sipas saj, arma e përdorur gjatë sulmit në bankën NGB, është e njëta me atë që vrau argjendarin Rrapaj në tetor të vitit të kaluar.

VRASJA E ARGJENDARIT
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në 21 tetor të vitit 2011. Argjendaria e ndodhur në kryqëzimin mes rrugëve "Siri Kodra" e “Ferid Xhajko”, në Tiranë është grabitur nga persona, për momentin ende të padidentifkuar. Në grabitje e sipër, një person i armatosur ka qëlluar për vdekje, pronarin e argjendarisë Rrapo Sinanaj.

SULMI TEK BANKA
Nisur nga të dhënat balistike të gëzhojave të gjetura në ambientet e bankës NBG, policia dyshon se bëhet fjalë për të njëjtën armë, e cila muaj më parë ka shkaktuar një tjetër viktimë, këtë herë një argjendar. Policia, për arsye hetimi nuk jep më shumë detaje për vrasjen, e cila shokoi opinionin publik një ditë më parë.
Arkëtarja Leonora Kaloci, nënë e 2 fëmijëve dhe roja e bankës Skënder Elmazi u qëlluan pasditen e djeshme nga një person, i cili ka tentuar grabitjen e bankës ku dy personat ishin të punësuar.


(aq/shqiptarja.com)