Gjykata e Apelit ka vendosur të riçelë hetimin gjyqësor për të miturin i akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, dy vite më parë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

Në seancën e zhvilluar këtë martë, me dyer të mbyllura, trupa gjyqësore e apelit me gjyqtarë Fatri Islami, Enida Petri dhe Valdete Hoxha ka vendosur kryerjen e raporteve psikologjike për autorin e dyshuar dhe te miturin qe mbeti i plagosur.

Seanca e radhës u caktua më 10 qershor ku në sallën e gjyqit do të paraqitet edhe psikologia që do të ngarkohet me hartimin e raporteve.

Më 9 dhjetor 2025, Gjykata e Tiranës dënoi autorin me 16 vite burg. Ai u shpall fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj një të mituri tjetër, i cili mbeti i plagosur.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë