TEPELENË- 24 orë pas vrasjes së 30-vjeçarit Endri Goxhaj, policia ka vënë në pranga 3 persona, 2 të tjerë i ka shpallur në kërkim dhe 1 është vënë në hetim. Shtatë persona janë përfshirë në sherrin që nisi në një lokal në Memaliaj dhe përfundoi në përdorimin e armëve të zjarrit, ku përveç viktimës Goxhaj, i plagosur me 4 plumba mbeti edhe Dani Nela, 25 vjeç.

Këtij të fundit i është komunikuar masa e arrestit në spital, ndërsa në pranga ka rënë edhe 47-vjeçari Aldo Kalemi, të akuzuar për "vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit". Ndërsa, Ermal Mataj, 41 vjeç u arrestua për veprën penale "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Sipas policisë, vrasja e Goxhajt ndodhi gjatë një konflikti të çastit mes 7 personave, por nuk përjashtohet as pista e prishjes së pazareve të drogës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 2 grupet kanë pasur konflikte të hershme për pazaret e drogës, cka mund të jetë bërë shkak edhe në sherrin me armë zjarri mbrëmjen e 21 prillit. Dyshohet se ka qenë 30-vjeçari Goxhaj i pari që ka qëlluar drejt Dali Nelës që raportohet se ka marrë 4 plumba, 2 në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë.

Më pas, kanë qenë dy vëllezërit e Nelës, Donaldo dhe Marjaldo, që janë kundërpërgjigjur dhe kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të 30-vjeçarit Goxhaj, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital. Dy vëllezërit, Donaldo Nela 29 vjeç dhe Marjaldo Nela 28 vjeç, menjëherë pas të shtënave janë larguar me makinë nga vendi i ngjarjes dhe janë ende në kërkim nga blutë.

Donaldo Nela është person me precedent penal, i përfshirë në trafik droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Grupi që ai bënte pjesë është goditur në 2018-ën nga Policia e Sarandës. Ai po ashtu, rezulton i hetuar edhe si autor i një grabitje të një pike të këmbimit valutor në Tepelenë.

Ndërkohë, Dani Nela, sipas burimeve është dhëndër te fisi Kalemi, ndërsa nga i njëjri fis ka rënë në pranga edhe Aldo Kalemi. Këta të fundit njihen për përplasjet e forta me fise të tjera për pazare droge ndërsa dyshohet se fshihen pas disa vrasjeve, mes tyre dhe ajo e Aleksandër Sadikajt.

Policia ka sekuestruar pistoletën me të cilën dyshohet se Goxhaj plagosi Dani Nelën. Arma është me fishek në fole. Gjithashtu janë sekuestruar 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.