Përballja e dytë e Xhuvanit me akuzën për “vrasje ne rrethana te tjera cilësuese”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ishte parashikuar të mbahej ditën e sotme më 11 dhjetor, por ajo është shtyrë për shkak të mungesës së vetë të akuzuarit dhe avokatit të tij Ardian Leka.
Mësohet se Xhuvani ka dërguar një letër, ku shprehet se nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme për shkak se është sëmurë, ndërsa ka kërkuar që seanca të vazhdojë pa të por nëpërmjet përfaqësisë së avokatit të tij mbrojtës.
Megjithatë duke parë edhe mungesën e avokatit Ardian Leka, gjykata vendosi të shtyjë seancën e sotme për më 23 dhjetor.
Djali i ish-deputetes socialiste, Luiza Xhuvani dhe regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani, akuzohet se rreth orës 04:00 të mëngjesit të 4 nëntorit ekzekutoi me armë shokun e tij 19 vjeçar Arbër Demiraj, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, italianin Giampaolo Azzolo 55 vjeç si dhe Edison Jahon e Enea Xhajn, me të cilët Xhuvani është konfliktuar në ambientet e lokalit të natës.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)