Biznesmeni i njohur nga Saranda, Rexhep Ismaili është përcjellë në banesën e fundit këtë të shtunë, ndërsa në spitalin e Sarandës ruhet me polic, Kostandin Vogli, 31 vjeç nga Himara, i cili mori plumb në këmbë, gjatë përplasjes.

Përpara togave të zeza, Vogli ka rrëfyer se shkoi në lokalin e 66-vjeçarit, i shoqëruar nga 5 persona të tjerë, për të sqaruar konfliktin që kishte me Viktor Ruçin, mik i Ismailit, i cili atë natë ndodheshin në një tavolinë.

31-vjeçari rrëfen se me Ruçin ishte në konflikt për një beach bar në Himarë. Vogli ka thënë se më herët ishte arrestuar dhe se gjatë kohës që ndodhej në burg, Ruçi kishte nxjerrë vëllain e tij nga biznesi, çka kishte përshkallëzuar konfliktin mes palëve. Mosmarrëveshjet kishin të bënin kryesisht me ndarjen e të ardhurave nga aktiviteti.

“Pasi u burgosa, Ruçi nxori vëllain tim nga biznesi. Konfliktet tona nisën për paratë e biznesit,” mësohet të ketë deklaruar Vogli.

Dinamika e ngjarjes

Rreth orës 21:30, në lokalin e Rexhep Ismailit, mbërriti një grup prej 6 personash, pasi i kishte thirrur Kostandin Vogli, i cili kishte informacion se te karburanti dhe lokali i vëllezërve Ismaili ndodhej 50-vjeçari Viktor Ruçi, me origjinë nga Tepelena dhe banues në fshatin Gjashtë.

Në sherr e sipër, 66-vjeçari Rexhep Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me “Kallashnikov”, duke hapur zjarr disa herë ku ka mbetur i plagosur Kostandin Vogli. Ndërsa autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, e ka qëlluar me pistoletë me plumb në kokë Ismailin. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.

Policia ka shpallur në kërkim autorin Lulzim Tabaku i akuzuar për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje” së bashku me Idriz Çela, Eljo Muço, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, të cilët akuzohen për kanosje e shkatërrim të pronës.