TIRANË, 27 Qershor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Policia e Tiranës ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit, për të filluar sërish sot, hetimet për kapjen e autorëve që ekzekutuan të enjten bankierin dhe botuesin e njohur, Artan Santo.
Burime policore bëjnë të ditur se falë këtyre hetimeve janë shoqëruar rnë polici rreth 15 persona për të dëshmuar në lidhje me vrasjen e ndodhur në kryeqytet, në zonën e ish-bllokut. Shoqërimi i tyre, sqaruan burimet, është bërë në cilësinë e dëshmitarëve, por dhe personave të cilët mund të kenë dijeni për konfliktet që biznesmeni mund të ketë pasur.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
Grupi hetimor po punon dhe po zgjeron punën e tij në disa pista, për të cilat është tepër i rezervuar Gjatë ditës së djeshme policia shoqëroi dhe dy persona në fshatin Bubq të Fushë Krujës, Klodjan Gjozi, ish-pronar i motorrit me të cilën është kryer vrasja dhe Sajmir Gjozin, pronar i një servisi, ku është riparuar motorri para se të shitej.
Krahas këtyre shoqërimeve,  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka zhvilluar dy mbledhje brenda 12 orëve me drejtuesit e policisë në lidhje me hetimet për vrasjen e biznesmenit. Në mbledhje kanë marrë pjesë Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, si dhe 6 shefat e komisariateve të kryeqytetit.
Vrasja e biznesmenit Artan Santo ndodhi dje, rreth orës 09:30, në "zemër" të kryeqytetit, në zonën e Ish-Bllokut. Biznesmeni Santo, bashkëpronar i medias "Focus Group", i bankës 'Credins' dhe 'TV Scan', u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona të maskuar, pranë selisë qëndrore të bankës "Credins", teksa ishte duke hyrë në institucion. Biznesmeni është qëlluar për vdekje me 6 plumba pistolete, ndërsa një plumb në kokë dyshohet se ka qenë fatal duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Dy persona te maskuar me skafandra në një motor tip "Scooter", të veshur me të zeza, kanë qëlluar fillimisht me një plumb drejt makinës së tij. Sipas burimeve policore, vrasësit dyshohet se fillimisht e kanë thirrur në emër biznesmenin Santo, për të verifikuar nëse ishte vërtet ai dhe më pas kanë qëlluar drejt tij.
Autoret duke ndjekur makinen e Artan Santo, Prane Bulevardid Deshmoret e Kombit
Burime Policore gjithashtu konfirmuan edhe itinerarin e ndjekur nga autoret ditën e vrasjes, ndërsa  dëshmia e shoferit të Artan Santos, se një motorr i kishte ndjekur prej ditësh konfirmon se atentatorët kanë qenë të mirëorganizuar.
Sipas burimeve të sipërcituara, mësohet se vrasësit kishin ndjekur të ndjerin që prej daljes nga banesa, në zonën mes RTSH-së dhe Liceut Artistik. Më tej ata kanë ndjekur makinën e tij përgjatë rrugës që lidh RTSH-në me Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nga ku Santo i është drejtuar zyrës së tij në rrugicën midis vilës 30 dhe bankës Credins dhe pasi e kanë qëlluar për vdekje 58-vjeçarin janë larguar për nga drejtimi i Librit Universitar. Kamerat e sigurisë në këtë zonë kanë fiksuar dy atentatorët në motor, me skafandra, me doreza dhe rroba të zeza, dhe pasagjeri, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje biznesmenin Santo, mban një çantë në sup.
Autoret duke u larguar nga vendi i ngjarjes, prane kryqezimit te ish-librit universitar, prapa Presidence
Momenti i fundit i filmuar nga kamerat e sigurisë, tregon dy atentatorët menjëherë pas krimit, teksa largohen në kryqëzimin e Librit Universitar.
Policia e Kryeqytetit ka vendosur në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorëve, duke ruajtur anonimatin.
Policia e Tiranës bënë të ditur se kushdo që ka informacion të telefonoje në numrin 069  41  00003, ndërsa garanton anonimatin. Sipas policise, kërkohet bashkëpunimi qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe  në numrin pa pagesë 129. /a.ke/