Ka rënë në prangat e policisë në Malin e Zi Besnik Kolndreu i akuzuar për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit” lidhur me ngjarjen e 26 prillit 2026 ku mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në fshatin Balldren. Kolndreu ka fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur nga autorët në krim.
Çiftit të bashkëshortëve iu bë pritë në fshatin Balldren e u ekzekutuan me rreth 30 plumba teksa po udhëtonin në drejtim të Torovicës. Kreshnik Mujeci është detyruar të ndalojë pasi rruga i është prerë nga një tjetër automjet. Në këtë moment, nga një tjetër automjet, i cili raportohet se ishte pa targa, kanë dalë dy persona të armatosur me kallashnikovë që derdhen breshërinë e plumbave në drejtim të në drejtim të çiftit Mujeci, duke i lënë të vdekur në vend.
një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e hakmarrjes, pasi viktima Kreshnik Mujeci është akuzuar për vrasjen e Genc Mhillaj në vitin 2016, por deri më tani rezultonte të mos ishte dënuar.
Thuajse një vit pas, ai dhe kushëri i i tij Jozef Mujeci u arrestuan si të dyshuar për vrasjen e Mhillajt, i njohur edhe si Gent Pjetri. Sipas hetimeve të asaj kohe, Kreshniku në bashkëpunim me kushëririn i kishin prerë rrugën viktimës dhe e kishin qëlluar për vdekje pas një konflikti për motive të dobëta. Por çështja mori kthesë në gjykatë.
Më 27 nëntor 2018, Shkalla e Parë e Gjykatës së Shkodrës i shpalli të dy të pafajshëm për vrasjen. Gjykata e Apelit Shkodër më 6 nëntor 2019 vendosi të mos pranojë ankimin e prokurorisë për vendimin e Shkallës së Parë. Gjykata e Lartë nga ana tjetër e ktheu çështjen për rigjykim në Apel më 31 tetor 2024.

Çifti i bashkëshortëve Gentiana dhe Kreshnik Mujeci
“Falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, si dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore malazeze, Policia e Malit të Zi lokalizoi dhe kapi në Ulqin një shtetas të kërkuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.
Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë, u bë ndalimi i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. K. dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









Po polici që e lejoj përtë kaluar për në mal të zi a duhet pezulluar?
Përgjigju