Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur të dënojë me burgim të përjetshëm Denis Shtraza,të akuzuar nga prokuroria për akuzën e rrëmbimit, torturimit dhe më pas vrasjen e Gazmet Çollakut. I pandehuri Shtraza e ka pritur me qetësi vendimin e gjykatës, ndërkohë që nuk ka thënë asnjë fjalë, si para dhe pas dhënies së vendimit. Pesëshja e gjyqtarësh të kryesuar nga gjyqtari Ardit Mustafaj vlerësuan në fund të procesit gjyqësor se ai është një nga autorët e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Gazmend Çollakut në 6 janar 2016 në Durrës.

Në pamjet filmike të transmetuara në seancat e gjykimit Gazmend Çollaku, u rrëmbye nga katër persona në parkingun e një lokali pranë Portit të Durrësit. Ai u gjet të nesërmen i pajetë me një plagë plumbi në kokë dhe gjymtyrë të lidhura, i hedhur në anë të një rruge në zonën e Fushë-Krujës. Për të njëjtën ngjarje u akuzua edhe ish-oficeri i policisë së Tiranës, Ervin Dalipaj, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në prill 2017 pranë Sukthit, ndërkohë që ishte në kërkim nga drejtsia.

Argumentimi i gjykatës

Në argumentimin e vendimit penal, relatori i trupit gjykues argumentoi se se njollat e gjakut të konstatuara në mjetin “Mercedes Benz ML”, në të cilin kanë udhëtuar Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza 3-4 orë pas ngjarjes, janë të viktimës Çollaku. Mirëpo ekspertizat e ADN-së në disa seanca gjyqësore të mëparshme, rezultuan të pavlefshme pasi mostrat me elementë ADN-je janë ngatërruar. Dy ekspertët Amarda Deda dhe Aleksandër Bushati, që analizuan njollat e gjakut të gjetura në vendngjarje, në një makinë që dyshohet se u përdor për vrasjen, të personit të akuzuar dhe të viktimës, i thanë gjykatës gjatë seancës së të hënës, se mostrat me gjakun e viktimës nuk ishin të sakta. “Për ne ky rast ka qënë unikal dhe për të qënë të sigurt dhe me veten tonë, i kemi kryer disa herë analizat dhe dilnin të njëjta rezultate,”-ka deklaruar ekspertia biologe Amarda Deda.

Ekspertja shpjegoi se mostrat e gjakut që shërbenin për të zbuluar ADN-në duhej të ishin ngatërruar, pasi gjaku i marrë nga trupi i viktimës në morg nuk përputhej me atë të nënës së viktimës. Për për gjykata gjatë procesit vendosi të rieskpertojë sërisht mostrat e gjakut. Më tej gjykata zgjeroi argumentin duke vlerësuar se viktima nuk kishte njohje me Dalipajn dhe se nuk kishte pasur kontakt me mjetin e tij. Por në mungesë të një kontakti të mëparshëm të viktimës me këtë automjet, arsyetoi gjykata, njollat e gjakut në mjet janë bërë ose nga një kontakt fizik direkt, ose nga mjetet me të cilat është goditur, qëlluar, lidhur apo mbështjellë Çollaku.

Apelimi i vendimit

Ndërkohë avokati i Denis Shtrazës Neshat Fana, që kishte kërkuar përballë gjykatës pafajësi për klientin e tij, nuk pranoi të komentojë vendimin e dhënë, duke pohuar se do e apelonte shumë shpejt këtë vendim. Përgjatë gjithë gjykimit i pandehuri i vetëm i kësaj dosje penale nuk ka pranuar autorësinë e krimit, ndërkohë që ka pretenduar se me viktimës kanë qënë shokë, pasi janë njohur në ambjentet e burgut. Ndërsa prokurori Besnik Muçi, pohoi se “E tillë ishte dispozita ligjore dhe nuk mund të kërkosh masë tjetër dënimi përç masës më ekstreme që ka Kodi Penal. Kanë ekzistuar disa prova që e implikonin”.

d.c./shqiptarja.com