Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në GJKKO për dosjen "Plumbi i Artë". Hoxhaj, i cili ka qenë i penduar i drejtësisë, tregoi për njohjen e tij me Nuredin Dumanit.
Ai tha se Nuredinin e ka njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020 dhe më pas shkëmbyen numrat e telefonit.
"Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë, duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat. Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefonë të enkriptuar.", tha Hoxhaj.
Hoxhaj u shpreh se me Dumanin bisedoi për disa vrasje, mes tyre edhe ajo e Dorian Shkozës në Durrës. Dumani ia kërkoi si porosi nga Krymit, por më pas i paraqiti si problematika të tij.
Për vrasjen e Shkozës, Hoxhaj do të merrte 70 mijë euro.
"Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po. Nuredini më tha për dy vrasje që do bëhëshin në Durrës. Në fillim ishte si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha, a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë. Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer ishte Elio Bitri, nga Elbasani.", deklaroi Hoxhaj.
Pak para vrasjes, Hoxhaj theksoi se kishte shkuar tek shtëpia e Nuredin Dumanit në Durrës dhe nga aty u nis me makinë, ku shofer ishte Elio. Teksa kaluan pranë një servisi, ata panë se Hoxhaj ishte i shoqëruar nga dy persona.
Hoxhaj tha se qëlloi brenda makinës dhe Dorian Hoxha u rrëzua. Më pas e qëlloi përsëri.
"Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi. Ditën e ngjarjes kam shkuar në Durrës. U takova tek shtëpia e Nuredinit në Durrës. Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro tek servisi. Kur kaluam atëherë nuk ishte prezent. Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona i shoqëruar. Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë m’u bllokua, përdora tjetrën. Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo. Pyeta Elion, a ky është. Po më tha ai. Edhe e godita. Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli.", nënvizoi ai.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj deklaroi edhe se Nuredin Dumani ishte mbrapa tyre me makinë dhe e pa vrasjen. Pagesën, ai e mori pas ngjarjes, duke theksuar se 35 mijë euro ishin përtë, dhe 35 mijë euro për Elion.
"Pas vrasjes hipa në makinë. Në ikje e sipër, i thashë, mua më lër tek Plepat, ku kisha lënë një makinë. Unë hipa tek ajo me duar në xhepa. Ndërsa makina tjetër iku u dogj tek Bishti i Zhurit. Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha, o kusho doli shumë mirë. Pagesën e mora për ngjarjen. Por ajo 70-shja u nda mes meje e Elios. 35 mora. Nuk e di sa i dha Elios. Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk fshihesha. Lekët Nuredini më tha se i merrte nga krymi.", përfundoi Hoxhaj.
Komente











