Të paktën 26 persona kanë humbur jetën deri tani në Meksikë për shkak të sulmeve me armë zjarri nga narkotrafikantët, si dhe nga vetë përplasjet mes këtyre të fundit pas vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, themelues dhe lider i Cartel Jalisco Nueva Generacion (CJNG), banda kriminale më e frikshme e vendit.

Ishin vetë forcat e sigurisë së Meksikës që njoftuan vrasjen e Cervantes, pas nisjes së operacioneve të ushtrisë. Bastisja shkaktoi përplasje shumë të dhunshme mes grupeve të narkotrafikantëve dhe forcave të policisë. Në disa shtete u raportuan zjarrvënie, bllokime rrugësh dhe arratisje të civilëve në panik.

Mes viktimave civile është një grua në muajin e tretë të shtatzënisë dhe 17 agjentë të forcave të rendit: 15 pjesëtarë të Gardës Kombëtare, një agjent i Prokurorisë dhe një roje burgu. Nga ana e krimit janë regjistruar tetë të vdekur. Forcat e rendit kanë arrestuar gjithashtu 27 persona: 11 për episodet e dhunës dhe 14 për plaçkitje ndaj bizneseve dhe institucioneve bankare.

I lindur në vitin 1966, Oseguera Cervantes ishte përfshirë nga administrata amerikane në listën e kriminelëve më të kërkuar, me një shpërblim shumë milionësh për informacione që çonin në arrestimin e tij. Drug Enforcement Administration (DEA) e përshkruan CJNG si një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë. Sipas raporteve publike të agjencisë, grupi përdorte taktika ushtarake, armë të kalibrit të lartë dhe strategji propagandistike për të zgjeruar dhe konsoliduar pushtetin e tij. Për kapjen e tij ishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh.

Brian McKnight, drejtues i DEA-s amerikane, e kishte quajtur Cervantes “armiku publik numër një” të ri, duke thënë se ai kontrollonte 80% të drogës që mbërrin në një qytet si Chicago dhe një të tretën e të gjithë importit të narkotikëve në Shtetet e Bashkuara (kokainë, metamfetaminë, fentanil). Sipas hetuesve të DEA-s, karteli i tij, i shkëputur nga grupi i Sinaloas i drejtuar nga Joaquin Guzman, kishte krijuar rrugë trafiku droge në gjashtë kontinente dhe kishte një bazë të fortë në Chicago.

Pak detaje janë bërë publike mbi vrasjen e tij: ai thuhet se u interceptua në komunën Talpa de Allende, një zonë e konsideruar tradicionalisht bastion i kartelit të Jalisco-s. Pas operacionit u raportuan bllokime rrugësh në të paktën gjashtë shtete të Meksikës — Jalisco, Michoacán, Colima, Tamaulipas, Guanajuato dhe Aguascalientes — duke shkaktuar mobilizim të gjerë të autoriteteve federale dhe shtetërore. Kjo është një taktikë e zakonshme e organizatave kriminale si reagim ndaj arrestimeve ose vrasjeve të figurave të profilit të lartë.

Ministria meksikane e Mbrojtjes konfirmoi me një komunikatë vdekjen e bos-it. Gazeta El Universal raportoi se SHBA-të kontribuuan në operacionin e kryer me mbështetjen e aviacionit, megjithëse ky detaj nuk është konfirmuar zyrtarisht. Uashingtoni përgëzoi operacionin, ndërsa Reuters raportoi se SHBA-të ofruan mbështetje në inteligjencë.

Forcat e sigurisë u sulmuan nga narkotrafikantët dhe iu përgjigjën me zjarr, duke vrarë katër persona në vend dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë. Këta të fundit vdiqën gjatë transportit për në Mexico City, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dhe mes tyre ndodhej edhe “El Mencho”. Pas kësaj shpërtheu hakmarrja e narcos-ve, të cilët në orët në vijim u përplasën me ushtrinë meksikane. Forcat ajrore bombarduan kolonat e kriminelëve.

Komando të narcos-ve sulmuan aeroportin e Guadalajara-s, kryeqyteti i shtetit Jalisco, gjatë shkëmbimeve të zjarrit mes kartelëve dhe forcave të sigurisë. Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerë që ikin në panik ndërsa dëgjohen të shtëna armësh. Vetëm pas disa orësh situata u normalizua. Pamje të tjera nga Puerto Vallarta tregojnë zjarrvënie dhe kolona tymi. Sipas mediave lokale, në këtë qytet po ndodhte një arratisje masive nga burgu i Ixtapa-s. Më në veri, në San Juan de los Lagos, narcos-t sulmuan një bazë të Gardës Kombëtare. Qeveria urdhëroi mbylljen e hapësirës ajrore mbi Tapalpa. Pasdite ishin ende aktive 21 bllokime rrugësh nga narcos-t.

Alarmi u ngrit edhe në shtetin fqinj Michoacán. Guvernatori Alfredo Ramírez Bedolla njoftoi nisjen e një operacioni survejimi në gjithë territorin. Alarm ndërkombëtar gjithashtu: Ambasada e SHBA-ve dhe qeveria kanadeze lëshuan paralajmërime sigurie për qytetarët e tyre. Përfaqësia amerikane u kërkoi shtetasve të mos dilnin nga shtëpitë në shtetet Jalisco, Tamaulipas, Michoacán, Guerrero dhe Nuevo León. Edhe qeveria kanadeze paralajmëroi për postblloqe me automjete të djegura, të shtëna dhe shpërthime.

Në fund, presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë:

«Ministria e Mbrojtjes Kombëtare ka raportuar për operacionin e kryer këtë mëngjes nga forcat federale, që ka shkaktuar disa bllokime dhe incidente të tjera. Ka koordinim të plotë me qeveritë e të gjitha shteteve; duhet të qëndrojmë të informuar dhe të ruajmë qetësinë», shkroi ajo në X.

«Vlerësimi im për Ushtrinë, Gardën Kombëtare, Forcat e Armatosura dhe Kabinetin e Sigurisë. Punojmë çdo ditë për paqen, sigurinë, drejtësinë dhe mirëqenien e Meksikës»./ Corriere della Sera